Kuriozitete
Shkronjat

Në një farë pike, cilido ndien se ka diçka që nuk shkon me romanticitetin e partnerit. Bob Navara, një terapist i martesave dhe familjes, shprehet se këto ndjenja të trazuara nuk ndikojnë në prishjen e martesave nëse çiftet dinë si t’i përballojnë.

Efekte negative lindin kur ndjenjat fshihen dhe akumulohen vazhdimisht, derisa të kthehen në atë ndjenjën e mosdurimit të partnerit. Nuk është aspak normale që dy veta, të cilët kanë vendosur vullnetarisht të kalojnë jetën bashkë, të urrehen për gjëra të vogla. Ja disa arsye përse burrat nuk i durojnë dot gratë e tyre.

1. Femrat luftojnë padrejtësisht. “Çiftet e lumtura nuk është se grinden më pak, shprehet dr. Navara, ata thjesht luftojnë më mirë”. Këtë e bëjnë duke përshkruar ndjenjat e tyre në vend që ta etiketojnë partnerin “të padurueshëm” dhe ta lënë me aq. Studimet tregojnë se bashkëshortet janë më të predispozuara për të shtruar problemet në diskutim, ndërsa burrat ka gjasa të tërhiqen që në shenjat e para të grindjes.

2. I trajtojnë meshkujt si fëmijë. Kur një mashkull vendos të krijojë një familje, ndër të tjera kjo është edhe një shenjë që ai dëshiron të shkëputet plotësisht nga familja e tij e origjinës dhe të ndërtojë diçka të veten. Instinkti mëmësor është i pranishëm te çdo femër, por duket se asnjë mashkull nuk dëshiron të trajtohet si fëmijë. Një arsye se përse meshkujt nuk i durojnë dot gratë e tyre është kur ato i qortojnë. Shmangini kërcënimet e pavarësisë dhe ushtrimin e presionit, kështu do të rrisni lumturinë e martesës dhe burri juaj nuk do të ndihet i menaxhuar.

3. Përfshirja e personave të tjerë në jetën martesore. Atë që ju mund ta konsideroni si një ankesë e padëmshme te miqtë dhe familja, në fakt mund të thyejë besimin që ka bashkëshorti te ju. Kjo ndodh për arsyen se çdo çift ka privatësinë dhe sekretet e tij. Norene Gonsieëski, një terapist çiftesh në Portland, shprehet se veprimin e mësipërm burrat e shohin si poshtërues dhe të dhimbshëm. Do të ishte një veprim më i zgjuar nëse do t’i drejtoheshin një psikologu, terapisti ose të paktën një miku të besuar.

4. Kur nuk tregohet mirënjohje. Meshkujt kurrë nuk do t’ju kërkojnë të tregoni vlerësimin tuaj për diçka që ata e bëjnë siç duhet, por në të vërtetë e dëshirojnë këtë. Burrat kanë nevojë që të ndiejnë se gratë e tyre janë krenare për ta. Psikologët vërejnë se meshkujt priren më shumë drejt aksionit dhe për këtë arsye e shprehin ndryshe dashurinë. Kushtojini vëmendje veprimeve të burrave tuaj dhe do të zbuloni se ato që bëjnë gjatë ditës kanë edhe kuptime të fshehta dashurie.

5. E përdorin seksin si ndëshkim. Kur një femër është e mërzitur, ajo ka një armë sekrete ndëshkimi: nuk bën dashuri me partnerin. Përgjithësisht femrat bëjnë seks kur kanë ndjeshmërinë emocionale, ndërsa meshkujt bëjnë seks që të arrijnë këtë gjendje emocionale. Të përdorni seksin si një shantazh, nuk është një mendim i mirë, pasi partneri juaj do të mendojë se ju nuk e vlerësoni atë.

6. Përpiqen ta ndryshojnë burrin. Disa femra e shohin martesën si pikën kur ato duhet të fillojnë tjetërsimin e bashkëshortit. Është më mirë ta pranoni dikë, sesa të tentoni ta ndryshoni. Tjetërsimi do të jetë një rrugë e gjatë dhe e lodhshme, fundi i të cilës do të jetë shkatërrues për të dy partnerët.

7. Marrin vendime të rëndësishme pa e pyetur. Studimet tregojnë se paratë janë tema më e debatueshme dhe që sjell më shumë probleme në çift. Meshkujve u pëlqen që të pyeten në lidhje me vendimet që marrin partneret e tyre, për këtë arsye bëni mirë që t’ia hidhni një fjalë sa për ta vënë në dijeni.

8. Nuk e lënë të bëhet babai që dëshiron. Lindja e një fëmije është një fazë shndërrimi në jetën bashkëshortore. Është kaq e vështirë të rritet një fëmijë pa pasur eksperienca të mëparshme. Shumë femra nuk ua besojnë dot burrave të tyre rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Nga ana tjetër meshkujt kanë në kokë një ideal atëror, të cilin do të dëshironin ta aplikonin te fëmija i tyre.

9. Xhelozinë e kotë. “Meshkujt janë krijesa që e pëlqejnë të parit, shprehet Dr. Meunier, për këtë arsye ata shohin edhe femra të tjera teksa kalojnë rrugës”. Meshkujt thonë se ata ndihen shumë nervozë kur gruaja e tyre bëhet xheloze për shikime të rastësishme dhe të parëndësishme. Kur femrat e ekzagjerojnë me reagimin e tyre, meshkujt ndihen të cenuar dhe për këtë arsye marrin pozicionin e mbrojtjes.

10. Duan t’u kërkosh ndjesë menjëherë. Kur dy njerëz debatojnë e grinden, çdonjëri prej tyre mendon se ka të drejtë. Femrat si qenie më të brishta, dëshirojnë që t’u kërkohet falje menjëherë, por duket se kjo i acaron meshkujt. Nga ana tjetër burrat nuk duan që gratë e tyre t’u kërkojnë falje sa për të thënë, por preferojnë më shumë që ato ta kuptojnë vërtet arsyen përse partneri është mërzitur.