Lajme
Shkronjat

Kosova do ta ketë ushtrinë e saj dhe se kjo do të bëhet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në dhe NATO-n.

Kështu tha sot presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në tryezën “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara” organizuar nga Fridrich Ebert Stiftung dhe SPRC.

Thaçi tha se  iniciativa e tij për projektligjin për FSK-në,  e ka bërë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe në koordinim të plotë me institucionet shtetërore të Kosovës. Ndërsa tha se aspiratën e transformimit të FSK-së në ushtri e kanë përkrahur edhe partnerët ndërkombëtarë.

 

 “Tani do të jetë e diskutueshme se në cilën ditë do të themelohet ushtria e Kosovës. Mund të themi se e kemi një situatë gati të përafërt sikur pak para shpalljes së Pavarësisë. A shpallet këtë vikend apo vikendin tjetër. Këtë javë apo javën tjetër. Natyrisht se ende jemi fleksibil, për ditët e caktuara që kjo ngjarje e madhe historike për konsolidimin e shtetit të Kosovës të ndodh bashkërisht me SHBA-të dhe gjitha vendet e NATO-s. Në këtë drejtim dëshiroj që secilit t’ai heq atë shqetësim, sepse nuk do të ketë veprim të njëanshëm. Sikurse që nuk ka qenë as ky deri më tani. Në anën tjetër duhet të jemi  shumë të vetëdijshëm dhe të sinqertë dhe me opinionin publik, siç kemi diskutuar dhe me partnerët tanë ndërkombëtar, proces më konsensual Kosova nuk ka kaluar që nga dita e shpalljes së Pavarësisë se sa ky për ushtrinë e Kosovës. Jam i bindur se gj ithë spektri partnerët e koalicionit, janë në favor pa asnjë dallim. Në anën tjetër dhe opozita ka deklaruar mbështetjen unanime. Jam i sigurt sikurse për Pavarësinë e Kosovës me 17 Shkurt që kanë qenë 109 vota edhe për ushtrinë e Kosovës do të jenë 109 vota duke përfshirë dhe komunitetet jo serbe”, tha ai.

Presidenti  tha se kjo nuk është një ide personale, por institucionale, kushtetuese dhe ligjore dhe është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe gjithë skenës politike të saj.

 

“Ashtu siç edhe kam pritur Projektligji për ushtrinë e Kosovës, e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës dhe vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të tyre dhe shtetit tonë. Prandaj jam i sigurt se të gjithë protagonistët politik të përfshirë në këtë proces, do të jenë në nivel të detyrës dhe me përkushtim do ta bëjnë punën e tyre, për përmbyllje më sukses të këtij procesi, në fund i takon deputeteve të Kuvendit të Rrepublikës së Kosovës, të cilët përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që të marrin vendimin e merituar për transformimin e FSK-së respektivisht në ushtri të Kosovës. Ndërsa unë si president i vendit jam i bindur se deputetet e republikës së Kosovës, pa dallim partie, nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri. Sepse ky është vullnet i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, t ha Thaçi.

Ai tha se do të ishte i lumtur që ushtria të formohej me ndryshime kushtetuese, por për këtë nuk mund ta bind Beogradin.

 

“Iu kam thënë edhe miqve ndërkombëtarë se unë nuk mund t’i bindi Beogradin, që t’i bind serbët e Kosovës me votu  ushtrinë. Ndërsa e di që partnerët tanë, miqtë ndërkombëtarë mund ta bindin Beogradin që t’i këshillojë serbët  e Kosovës që të marrin pjesë. Kjo do të ishte zgjidhja ideale. Mirëpo e di se mund të ndodh fare lehtë sikur që nuk ka mund ta  bind Beogradin për pavarësinë në 2007-2008 partnerët ndërkombëtarë, e kemi një situatë gati të njëjtë. Ose duhet të mbesim të presim derisa Beogradi të disponohet për ushtrinë e Kosovës. E unë e di që Beogradi më lehtë e ka gëlltit shpalljen e pavarësisë se sa e aprovon themelimin e ushtrisë së Kosovës”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës është i sigurt se po bën veprimin e duhur në iniciativën që FSK-së t’ia ndryshojë misionin e saj.

Ai tha sot se transformimi i FSK-së nuk do të këtë implikim ne mandatin e KFOR-it dhe NATOS  që buron nga Rezoluta 1244 dhe se as sot FSK asnjë  veprim nuk e ndërmerr pa u konsultuar me KFOR-in. I pyetur se me këta hapa që ka ndërmarr a po lëndohet bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare Thaçi e  tha se  përkundrazi se me këtë vetëm sa do të thellohet bashkëpunimi me ta.

 

“ E kam ruajtur dhe kultivuar bashkëpunimin me bashkësinë Ndërkombëtare, veçanërisht me NATO-n dhe SHBA-të,  sikurse sytë e ballit. Dhe  kam qenë prej atyre që jam akuzuar më së shumti edhe prej mediave dhe shoqërisë civile, se je shumë lojalist. Të iu them të drejtën se ky përcaktim i imi, le që s’ka me ndryshu, përkundrazi ka me u thellu. Kështu që le të flenë dath ata që po mendojnë me gjet atë hapësirën se nuk do ta kem të konfrontimeve. Ai konfrontim nuk do të ndodh. Përkundrazi do të forcohet dhe më tepër të jeni bindur. Ky proces ka filluar dhe do të përmbyllet bashkërisht me SHBA-të dhe me NATO-n”, tha ai.

Ndërsa  tha se qëndron prapa deklaratës së tij se do të jap dorëheqje në rast se Projektligji për FSK-në nuk do të kalojë. Por u shpreh i bindur se ky Projektligj do të bëhet, para se ai të largohet nga Presidenca.

 

“Qëndroj plotësisht  pas asaj deklarate. Por kam besim të plotë,  që ushtria do të bëhet para se me u largu unë prej Presidencës”, tha ai.

Burim Ramadani nga SPRS tha se  tashmë  është ndërtuar një moment i  ri, i cili duhet të vazhdohet me përpjekje intensive deri në përfundimin e këtij procesi.

 

 “Iniciativa për ndryshim ligjor, definitivisht ka krijuar një momentum të ri. Cilat janë përpjekjet institucionale, që ky përces të përfundojë me sukses ashtu sikurse është e qartë se s’ka kthim prapa. Konsensusi brenda shqiptar sidomos në Kosovë, pothuajse është gati në unanimitet, është çështje që duhet të vazhdohet dhe nëse ka ndonjë rrezik që konsensusi të humbet gjatë rrugës. Dhe së fundi duket qartë nga publiku që votat pro të deputeteve serbë të Kosovës, janë pothuajse të pamundshme”, tha Ramadani.

Ndërkohë që iniciativën për projektligjin e FSK-së e kanë përkrahur pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u ka shkruar sot letër shteteve të NATO-s për të përkrahur këtë iniciativë./KosovaPress/