Lajme
Shkronjat

Aleanca Kosova e Re (AKR) e Behgjet Pacollit, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar të hënën me drejtues të koalicionit PAN, do të ketë hise të madhe në qeverinë “Haradinaj”, shkruan sot, gazeta Zeri.

AKR-ja, që i ka katër deputetë në Kuvendin e Kosovës, do t’i marrë 5 ministri të rëndësishme, si dhe u janë garantuar 7 poste të zëvendësministrave.

Aq dikastere qeveritare sa AKR-ja nuk do t’i kenë bashkërisht AAK-ja e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt, të cilat i kanë hiç më pak se 16 deputetë në Kuvend ndonëse këto dy subjekte politike nuk do të mundë t’i marrin më shumë se gjashtë ministri në Qeverinë e re.

Ramush Tahiri, njohës i çështjeve politike, ka vlerësuar punën negociatore të Behgjet Pacollit me PAN-in. Sipas tij, Pacolli ka marrë maksimumin e mundshëm në Qeveri, me një numër të vogël të deputetëve.

 “Pacolli e ka nxjerrë maksimumin. Me 4 deputetë aktualisht, por nëse Pacolli hyn në Qeveri do t’i mbeten vetëm tre deputetë, ka nxjerrë 5 Ministri dhe 7 zëvendësministra, plus postin për president në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.

Sipas tij, arsyeja se pse Pacolli nuk ka pranuar më herët të bashkëpunojë me PAN-in është për shkak se AKR-ja e ka ditur vlerën e saj dhe nuk ka dashur “të shitet lirë”.
“AKR-ja nuk ka pranuar të shkojë me pazar të ulët”, u shpreh Tahiri.