Bota
Shkronjat

Departamenti amerikan i Thesarit publikoi një listë me emra të rusëve të famshëm, që kanë lidhje të afërta me Presidentin Vladimir Putin, por theksoi se nuk bëhet fjalë për një listë sanksionesh.

“Lista e Putinit”, siç i është vënë nofka nga mediet, u publikua vetëm 10 minuta para afatit përfundimtar të mesnatës dhe përfshin 114 figura politike dhe 96 oligarkë, me pasuri mbi një miliard dollarë.

Në listë përfshihen anëtarë të kabineti rus, si kryeministri Dmitry Medvedev, apo ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, por edhe miliarderë si Roman Abramovich apo Alisher Usmanov.

Publikimi i listës është pjesë e një ligji sanksionesh, që ka si qëllim të ndëshkojë Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane. Disa prej rusëve në listë janë nën sanksionet amerikane që prej tetorit, kur presidenti Donald Trump, pavarësisht rezervave, e firmosi ligjin.

Departamenti i Thesarit sqaroi se ndaj emrave në listë nuk janë vendosur sanksione të reja, por ekspertët mendojnë se ajo dërgon një mesazh se kushdo që gjendet në të duhet të presë masa.

Në krahun tjetër, Kremlini paralajmëroi se publikimi i listës rrezikon më tej raportet mes dy vendeve dhe do të ketë pasoja shumë serioze. Sipas disa politikanëve rusë, përfshirja e thuajse të gjithë qeverisë ruse në listë është një ndërprerje “de facto” e raporteve mes dy vendeve.