Bota
Shkronjat

Të paktën 814 persona mjekësorë janë vrarë në Siri nga fillimi i luftës në vitin 2011, ndërsa vjet janë shpeshtuar sulmet ndaj objekteve për mjekim nga ana e ushtarëve qeveritarë sirianë dhe aleatëve të tyre rusë, tregon hulumtimi i publikuar në revistën mjekësore britanike "Lanset" dhe cituar nga agjencitë botërore.

"Viti 2016 është viti më i rrezikshëm deri më tani për punonjësit shëndetësorë në Siri, ku sulmet ndaj tyre edhe më tej po zgjasin", shkruan njëri nga autorët e hulumtimit, dr. Samer Xhabur nga Universiteti amerikan në Bejrut.

Hulumtimin e kanë kryer një grup hulumtuesish, midis të cilëve ka edhe anëtarë të Shoqatës mjekësore amerikane-siriane. Ata theksojnë se Qeveria siriane dhe aleatët e tyre rusë sistematikisht i sulmojnë strukturat shëndetësore.

"Kjo strategji është përdorur në shkallë të mëdha të panevojshme nga ana e Qeverisë siriane dhe aleatëve të saj", shkruajnë autorët.

Rezultat i kësaj janë qindra persona të vrarë mjekësorë dhe qindra tjerë të hedhur nëpër burgje ose të maltretuar.

Sulmet ndaj objekteve shëndetësore janë rritur prej 91 në vitin 2012 në 199 në vitin 2016. Prej tyre 94 për qind janë kryer nga Qeveria siriane dhe aleatët e tyre, duke e përfshirë edhe Rusinë, theksohet në hulumtim.

Organizata botërore e shëndetësisë komenton se lufta në Siri, në të cilën deri më tani e kanë humbur jetën mbi 320.000 persona, është kriza më e madhe nga pikëpamja humanitare, si dhe nga pikëpamja e refugjatëve, shtojnë mediat franceze.

Autorët e hulumtimit shkruajnë se Siria është vetëm kulmi i bregut të akullt.