Bota
Shkronjat

Autoritetet australiane kanë paralajmëruar për rreziqet e përdorimit të pajisjeve karikuese gjatë fluturimeve me aeroplanë, pasi kufjet e një gruaje u kapluan nga zjarri.

Gruaja në fjalë u zgjua nga tingujt e një shpërthimi teksa po udhëtonte nga Pekini në Melburn. Ajo hoqi me shpejtësi kufjet të cilat kishin filluar të shkriheshin nga shkaktimi i zjarrit.

BBC shkruan se shpërthimi dhe zjarri e lanë me fytyrë të nxirë dhe shenja në duar.

Udhëtarja, identiteti i të cilës nuk është bërë i ditur, sipas Zyrës për Siguri të Transportit në Australi (ATSB), ishte duke dëgjuar muzikë kur ndodhi shpërthimi.

“Kapa fytyrën me duar, gjë që shkaktoi që kufjet të më rrëshqisnin rreth qafës. E ndjeja se po digjesha  dhe i hodha ato në dysheme. Shkëndijat shkaktuan edhe një sasi të vogël të zjarrit”, tha ajo.

Anëtarët e ekuipazhit të fluturimit ndihmuan dhe përfundimisht shuan zjarrin  duke hedhur një kovë me ujë në kufje.

 Deri në atë kohë, bateria dhe mbulesa plastike ishin shkrirë dhe mbërthyer në dysheme.

 "Në pjesën e mbetur të fluturimit, pasagjerët duruan erën e plastikës së shkrirë, elektronikës dhe flokëve të djegur”,  tha ATSB në raportin e saj.

 Raporti nuk e përmend markën e kufjeve, por besojnë se litiumi i baterisë, ishte  shkaktari i mundshëm, transmeton KosovaPress.