Gjakova
Shkronjat

Kjo ekspozitë me 37 vepra të piktorit Qamil Grezda, u soll mbrëmë në foajenë e pallatit të kulturës “Asim Vokshi” nga djali i tij Ermir Grezda.

Data e hapjes së kësaj ekspozite përkon me 100 vjetorin e lindjes së piktorit të mirënjohur i cili u lind në qytetin e Gjakovës, kurse veprimtarinë e zhvilloi në Shqipëri. Grezda është shprehur se këto janë vetëm disa nga pikturat që përbëjnë koleksionin e kësaj familjeje, vepra këto të cilat sipas tij datojnë që nga viti 1936.

E në 100 vjetorin e lindjes së Qamil Grezdës, djemtë e tij Ermiri dhe Gazmiri, i dedikuan edhe një libër, autor i së cilit është historian i artit, Oltsen Gripshi.

Veprat e ekspozuara në këtë foaje, u vlerësuan lartë nga njohës profesionistë të pikturës.

I biri i piktorit është shprehur falënderues ndaj drejtorit në largim të kulturës, rinisë dhe sportit Meriton Ferizi për përkushtimin e treguar për realizimin e kësaj ekspozite. E ky i fundit ndau edhe mirënjohje për këtë familje.

Në një dokumentar i cili u paraqit në fund të këtij aktiviteti, u paraqit jeta dhe vepra e piktorit Qamil Grezda. Ndër të tjera në këtë dokumentar tregohej se si kjo familje u shpërngul për të jetuar nga Kosova në Shqipëri, si dhe shkollimin e tij përkrah artistëve të mëdhenj Odhise Paskali dhe Abdurrahim Buza. Disa nga veprat e tij më të njohura janë portrete si “Romania”, “Portret plake”, “Portret gruaje”, “Shkodrani” e të tjera./Tv Syri Vision/