Gjakova
Shkronjat

“Roli i komunës së Gjakovës në krijimin e kushteve për nxitjen e sipërmarrësve të rinj”.

Kjo ishte tema e diskutimit, gjatë takimit të dhjetë me radhë të akterëve lokalë të kësaj komune. Vjosa Mullatahiri nga organizata gjermane GIZ ka thënë se si rezultat i suksesit të projektit për punësimin e të rinjve, një punë e tillë për aftësimin e të rinjve por edhe nxitjen e tyre për tu bërë sipërmarrës do të vazhdojë edhe në katër vitet e ardhshme. Në anën tjetër, ajo u shpreh e shqetësuar për numrin e vogël të të rinjve gjakovarë të interesuar për tu bërë pjesë e këtij projekti në katër vitet e fundit.

Edhepse shumë të rinj u punësuan falë projektit të punësimit nga GIZ-i gjerman, për atë se të rinjtë nuk u interesuan në aspektin e sipërmarrësisë, Kujtim Dula nga zyra e punësimit në Gjakovë, tha se një nga arsyet sipas tij është se të rinjtë e kanë parë të vështirë të fillojnë një biznes me aq mjete sa janë ofruar në kuadër të projektit.

 

Edhe pjesëmarrës të tjerë në këtë takim, u shprehën të shqetësuar në lidhje me mosinteresimin e të rinjve për tu bërë pjesë e projekteve. Në anën tjetër, Vjosa Mullatahiri nga GIZ-i është shprehur se komuna e Gjakovës ka qenë insistuese në projekte prandaj ky institucion lokal në vitet e fundit realizoi projekte të shumta me GIZ-in. Një ritëm i tillë ajo ka thënë se duhet të vazhdojë, sepse ata janë në kërkim të ideve për nxitjen e të rinjve që të vetëpunësohen./Tv Syri Vision/