Gjakova
Shkronjat

 

Ka më shumë se tri vite që është miratuar ligji, I cili definon statusin e viktimave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. E javë më parë, ekzekutivi ka përzgjedhur anëtarët e Komisionit qeveritar, i cili do të merret me vlerësimin e kandidatëve për të fituar këtë status.

Ndërkaq, dy organizata që veprojnë në Gjakovë,  të cilat që nga paslufta merren me trajtimin e grave të dhunuara gjatë luftës, janë përzgjedhur për të mbledhur aplikacionet dhe të intervistojnë viktimat që kërkojnë t’iu njihet ky status. Një prej tyre është Medica Gjakova, drejtuese e së cilës është Mirlinda Sada. Ajo ka treguar se viktimat nuk do të takohen me anëtarët e komisionit qeveritar, I cili do të merret me vlerësimin e aplikacioneve, në mënyrë që identiteti i tyre të ruhet.

 

Një organizatë tjetër e cila do të merret me këtë punë, dhe e cila vepron në Gjakovë, është “Medica Kosova”. Veprore Shehu, drejtuese e saj, ka sqaruar se njohja e këtij statusi, vlen edhe për meshkujt që kanë përjetuar dhunën gjatë luftës. Ndërsa, ajo është shprehur se implementimi i këtij statusi nga ana e qeverisë është i mirëseardhur.

 

Përndryshe për të mbledhur aplikacionet dhe intervistuar viktimat e këtij lloji të dhunës, janë përzgjedhur gjithsej katër organizata. Buxheti i paraparë nga qeveria e Kosovës për këtë kategori, I është bartuar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, sipas të cilës kjo cështje do të adresohet në kohë optimale në përputhje me ligjin dhe mundësitë buxhetore./Tv Syri Vision/