Gjakova
Shkronjat

Stacioni policor në Gjakovë, e sidomos sektori i Trafikut Rajonal, ndërmarrin masa që t’iu mundësojnë këmbësorëve ecje të lirë në vendet e parapara për ta .

Kështu thotë drejtori i trafikut rajonal, Albin Sahatqija. Mirëpo ai thotë se një sfidë e cila mbetet është fakti që ngasësit e veturave vazhdojnë të parkohen në vendet e ndaluara për ta, e në këtë mënyrë pamundësojnë edhe qarkullimin e këmbësorëve. Një gjë e tillë shihet edhe në pamjet e filmuara gjatë ditës së djeshme nga Tv Syri Vision. Sahatqija tregon se këtë vit është rritur numri i gjobave ndaj këtyre ngasësve, e policia nuk do të ndalet me ndëshkimin e atyre që po parkohen vend e pa vend.

Drejtori i këtij institucioni deklaron se në koordinimin me Kuvendin Komunal të Gjakovës kanë ndërmarrë edhe masa shtesë për të ndaluar parkimin e veturave në trotuare. Bile, ai thotë se shtylla anti-parking në trotuare duhet të vendosen edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Lekë Sina, shef i sektorit të komunikacionit në komunën e Gjakovës ka deklaruar për Tv Syri Vision se shtylla të tilla këtë vit do të vendosen në udhëkryqin e rrugëve “Washington” si dhe në rrugën “Anton Çetta”. Ai ka përfunduar se masa të tilla do të vazhdojnë varësisht nga kërkesat e komunitetit dhe aty ku rrezikohen këmbësorët./Tv Syri Vision/