Gjakova
Shkronjat

Ky oborr të dërgon drejt shtëpisë së familjes Mersula nga Komuna e Gjakovës, e cila faktikisht përbëhet nga një dhomë e vetme.

Në pamje të parë e pamundur, por në këtë ambient të vogël jetojnë shtatë anëtarë të kësaj familjeje. I Zoti i shtëpisë, Urimi shprehet se një rëndësi të veqantë i kushtojnë pastërtisë, por vështirësitë e tyre gjatë jetesës në këtë dhomë janë të mëdha.

Urimi kërkon ndihmën e njerëzve bamirës, në mënyrë që në të ardhmen ai dhe familja e tij të kenë një ambient të përshtatshëm për një jetesë normale.

Kreu i kësaj familjeje mundohet të fitojë bukën e gojës duke ushtruar zanatin e lustruesit të këpucëve, punë kjo të cilën ai e bën që nga periudha e pasluftës.  Ai thotë se vite më herët fitimi ishte i mirë, por sot gjatë një dite nuk fiton më shumë se tri euro.

Urimi tregoi se kohë më parë aplikoi edhe për skemë sociale në Qendrën për Punë Sociale në Gjakovë, por e cila kërkesë i’u refuzua. Të kontaktuar nga Tv Syri Vision, zyrtarë nga kjo qendër kanë thënë se arsyeja e refuzimit të kërkesës nga Mersula, ishte për faktin se ai nuk plotësoi kriteret e parapara me ligj. Ata kanë deklaruar se në momentin që fëmijët e aplikuesit kalojnë moshën 18 vjecare, atëherë ai nuk ka të drejtë përfitojë nga kjo skemë, dhe fëmijët e personit në fjalë kanë kaluar këtë moshë. /Tv Syri Vision/