Gjakova
Shkronjat

Drejtoria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural pranë kuvendit komunal ka përgatitur planin  për mbjelljet pranverore 2018. Sipas zyrtarëve të këtij dikasteri këtë vit është planifikuar që të mbillen rreth 5440 hektarë me kultura të ndryshme bujqësore. 

Me ardhjen e stinës së pranverës, edhe bujqit e komunës së Gjakovës kanë filluar punën si zakonisht me mbjelljen e kulturave pranverore. Pothuajse të gjithë fermerët janë furnizuar me plehra dhe farë për mbjellje pranverore. Disa prej tyre kanë filluar këtë process ndërsa të tjerë po planifikojnë që këtë ta bëjnë gjatë këtyre ditëve. Agron Beqaj nga fshati Rracaj na tha se ka një sipërfaqe prej 40 hektarë tokë dhe për këtë vit do të mbjellë misër dhe grurë.

Ai na tregoi se kjo veprimtari kërkon punë dhe angazhim mirëpo një lehtësim për të kryer mbjelljen janë edhe paisjet bujqësore që ai ka.

Përgatitjet për mbjelljet pranverore në Gjakovë po shkojnë sipas parashikimeve kanë bërë të ditur zyrtarë nga Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Sipas tyre, me kultura pranverore është paraparë që të mbillen rreth  5440 hektarë, kryesisht misër, bimë furagjere, patate, perime e kultura të tjera. Komuna e Gjakovës edhe për këtë vit ka paraparë investime në shumë sektorë të bujqësisë si në lavërtari, pemtari, perimtari, blegtori, bletari dhe investime të tjera./TV Syri Vision/