Gjakova
Shkronjat

Ka një muaj që banorët e lagjes së ashtuquajtur të gërqarëve po përballen me probleme, për shkak të rrjetit të kanalizimit.

Ata thonë se gjendja e krijuar në kohët e fundit, po u’a vështirëson jetesën më shumë se 30 familjeve të cilat banojnë këtu.

Ata thonë se për këtë problem janë të njoftuar edhe zyrtarët komunalë në Gjakovë, por edhe ata të stacionit policor. Kërkesa e tyre e vetme është që të intervenohet në zgjidhjen e këtij problemi sa më shpejtë që është e mundur.

Se janë të informuar me këtë problematikë e thonë edhe në kuvendin komunal në Gjakovë. Shkumbin Kastrati, drejtor për shërbime publike ka deklaruar se ky kanalizim do të pastrohet brenda kësaj jave nga ekipet e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Gjakova”.

Në anën tjetër, Kaltrina Rudi, zëdhënëse për media në kompaninë e ujësjellësit “Gjakova” na ka thënë se në këtë lagje intervenuan disa herë duke e pastruar kanalizimin në fjalë. Sipas saj problemiqëndron në vjetërsinë e gypave të rrjetit të kanalizimit, por edhe mungesa e përgjegjësisë nga ana e banorëve. Sidoqoftë, ajo ka deklaruar se do të vazhdojnë të mirëmbajnë rrjetin e kanalziimit në tërë qytetin. /Tv Syri Vision/