Gjakova
Shkronjat

Është mbajtur takimi përmbyllës në kuadër të cikleve të dëgjimeve buxhetore, të cilat kuvendi komunal i ka mbajtur tash e disa ditë edhe në fshatra e lagje të ndryshme të Gjakovës. Të pranishmëve fillimisht iu drejtua kryetari i komunës Ardian Gjini, i cili pasi dha informacionet për buxhetin e vitit 2019 i cili sipas tij është mbi 24 milionë euro, ai ka folur edhe për idetë dhe planet që ai dhe qeverisja lokale kanë për investimet komunale në vitet e ardhshme.

I pari i komunës përmendi edhe disa projekte tjera që tashmë e kanë marrë mbështetjen e qeverisë qendrore, gjë që do të bëj që në komunën e Gjakovës të bëhen investime që nuk janë bërë që nga përfundimi i luftës e edhe më tej. 

Ndryshe, sipas drejtorit të drejtorisë për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj, për vitin 2019 është planifikuar që shuma totale e investimeve kapitale nga komuna e Gjakovës të jetë rreth 7,2 milion, shumë kjo që pritet të rritet për disa herë, pasi janë edhe shumë investime nga niveli qendror që janë planifikuar gjatë kësaj periudhe.

Në këtë takim ku pjesëmarrës ishin edhe disa qytetarë pati shumë pyetje e kërkesa të cilat kishin të bënin meinfrastrukturën, shëndetësinë, ambientin, arsimin, sportin etj , e të cilat kanë marrë përgjigje nga zyrtarët komunal. Mes tjerash u  tha se buxheti i prezantuar nuk është i vetmi që do të jetë në shërbim të qytetarëve, pasi janë shumë krahas investimeve tjera të domosdoshme, komuna do të fokusohet që në tri vitet e ardhshme të përfundojë e tërë infrastruktura rrugore, në mënyrë që në vitin 2022 asnjë rrugë apo rrugicë në territorin e komunës sonë të mos jetë e pa rregulluar. Poashtu në kaudër të planifikimeve janë edhe objektet shkollore, pasi sipas kryetarit Gjini në vitin 2022 nuk do të ketë asnjë shkollë pa nyje sanitare funksionale./TV Syri Vision/