Gjakova
Shkronjat

Edhepse kaluan muaj që nga shprehja e pakënaqësive të tyre lidhur me punimet në ndërtimin e Kompleksit Memorial të Mejës, anëtarët e shoqatës së familjarëve të personave të zhdukur “27 Prilli 1999-Mejë” ende po merren me këtë problematikë.

Lush Krasniqi, anëtar i kësaj shoqate, dhe njëkohësisht familjar i tri viktimave që pësuan në Masakrën e Mejës gjatë luftës së fundit në Kosovë, thotë se varret e 376 të vrarëve nga kjo masakër janë në gjendje të mjerueshme.

Së fundmi, kjo shoqatë raportoi në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione rreth mbajtjes peng të fotografive të viktimave nga kompania e nënkontraktuar në fillim. Ibrahim Haxhiu, anëtar tjetër i kësaj shoqate deklaron se ky rast shkoi deri në prokurorinë e Pejës.

Pas ankesave të familjarëve dhe anëtarëve të shoqatës, me përmirësimin e punimeve dhe finalizimin e tyre, tani e tutje do të merret një kompani krejt tjetër.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes që është mbajtur ditë më parë, ndërmjet shoqatës së familjarëve dhe personave të zhdukur “27 prilli 1999-Mejë” dhe komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, nga Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë Kosovare për Menaxhimin e Memorialëve është thënë se punimet në këtë kompleks do të përfundojnë në vitin 2021./Tv Syri Vision/