Gjakova
Shkronjat

Sot u shënua 20 vjetori i masakrës më të madhe të luftës së fundit në Kosovë,  asaj të Mejës së Gjakovës, ku më 27 prill të vitit 1999, u vranë 376 persona. Për t’i përkujtuar të gjithë ata që u vranë në fshatin Meje, u mblodhën familjarë dhe shumë qytetarë në vendin që quhet “Lëndina e Pikëllimit”.

E ata që nuk mund ti ndalnin lotët teksa qëndronin afër varreve të më të dashurve të tyre ishin familjarët të cilët thanë se mes dhimbjesh ndjejnë edhe krenari. Ata u shprehën të zhgënjyer për gjendjen e varrezave, sipas tyre institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarr ende asgjë për rregullimin e këtyre varrezave.

 

Ka 12 vjet që kanë nisur punimet në ndërtimin e kompleksit Memorial në Mejë, por përveç që nuk ka pasur rregullime, varrezat veç sa janë shkatërruar më shumë.

 

Në 20 vjetorin  e rënies së martirëve dhe dëshmorëve të kësaj zone, për të nderuar dhe kujtuar veprën dhe jetën e tyre erdhi presidenti I Kosovës Hashim Thaqi, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, kryeparlamentari Kadri Veseli,  kryetari I komunës së Gjakovës Ardian Gjini . Në këtë tubim qendror të pranishëm ishin edhe përfaqësues të partive politike, përfaqësues të OVL-UÇK-së dhe OJQ-ve. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve presidenti Thaqi deklaroi se Serbia ende nuk është ndëshkuar për gjenocidin në Kosovë.

Në anën tjetër kryeministri Ramush Haradinaj premtoi se familjet do të kenë përkrahje të duhur e të dinjitetshme institucionale.

Çdo vit sa ne pikëllohemi, ekzekutuesit e masakrave gëzohen e i mohojnë veprat e tyre mizore.Ajo që na brengos është  se ata që kryen krime nuk u denuan dhe ende ka mbetje mortore që nuk na u kthyen thanë mes tjerash përfaqsësuesit shtetëror.

 

Edhe sot për të 20-tën herë, në lëndinën e lotëve, të gjakut e të vdekjes,  u përkujtuan 376 martirë të cilët për pak orë u vranë dhe u masakruan nga forcat paramilitare serbe.Nuk ka zë më të dhimbshëm se heshtja e kësaj lëndine. Plagët e luftës ende nuk janë mbyllur, andaj  fati i të pagjeturve duhet të zbardhet sa më parë, u tha me këtë rast./TV Syri Vision/