Gjakova
Shkronjat

E kryesuar nga kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini është mbajtur mbledhja e radhës nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në të cilën u diskutua për gjendjen e sigurisë në komunën e Gjakovës dhe zhvillimet e përgjithshme në këtë drejtim.

Fillimisht para anëtarëve të këtij këshilli komandanti i stacionit policor në Gjakovë major Kristë Gjokaj raportoj për gjendjen e sigurisë për periudhën janar – nëntor 2019, me ç ‘rast njoftoj se ka rënë dukshëm numri i rasteve të iniciuara, me theks të veçantë i rasteve të rënda, siç janë vrasjet, tentim vrasjet, vjedhjet e rënda dhe të tjera.

Në këtë takim u fol edhe për gjendjen në trafik, ku përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe zyrtarë të sektorit të komunikacionit në drejtorinë e Shërbimeve Publike thanë se po punohet që të ketë sa më pak probleme dhe më shumë siguri në këtë sektor.

Në lidhje me komunikacionin foli edhe kryetari Ardian Gjini, i cili duke e kërkuar mirëkuptimin e pjesëmarrësve në komunikacion tha se në pjesën më të madhe të vitit të ardhshëm, pritet të ketë ngecje në komunikacion. Ai përmendi disa nga këto investime që po bëhen në infrastrukturën rrugore në pjesë të ndryshme të komunës së Gjakovës.

Mes tjerash u diskutua edhe për situatën me fëmijët lypsarë, me ç ‘rast u tha se qendra për punë sociale ka trajtuar 87 raste të fëmijëve në kategori të ndryshme, prej tyre 58 fëmijë kanë qenë meshkuj ndërsa 29 femra. Pavarësisht sfidave kjo situatë është nën kontrollë të plotë të organeve përkatëse, por megjithatë është duke u punuar në vazhdimësi që kjo gjendje të përmirësohet edhe më tej  u tha me këtë rast./TV Syri Vision/