Gjakova
Shkronjat

Pako me veshmbathje, gjëra ushqimore, batanije e gjësende të tjera , kanë mbledhur qytetarë të shumtë nga komuna e Gjakovës për t’i dërguar në Shqipëri. Një pikë për grumbullimin e këtyre ndihmave është edhe kjo e tifogrupeve nga Gjakova “Kuqezinjët e Jakovës” dhe “1927”.

Këtij aksioni humanitar iu bashkuan edhe qytetarë të cilët jetojnë dhe veprojnë në diasporë. Në mesin e tyre ishte edhe Ylber Tabaku i cili vendosi të kontribuojë me pako ushqimore.

Aksion për mbledhjen e ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti ka organizuar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Kontingjenti i parë me ndihma të grumbulluara nga kjo parti është nisur për në Shqipëri në orët e pasdites të së martës, derisa iniciativa për grumbullimin e tyre po vazhdon edhe më tej.

Një pikë tjetër për grumbullimin e ndihmave është edhe shoqata e gruas “Iniciativa E femrës Kosovare”.

Një organizim të tillë solidarizues e kanë bërë edhe të rinjët e këshillit rinor lokal në Gjakovë. Këtu aktualisht po mblidhen batanije, veshjembathje, ushqime dhe vlera monetare.

Nismës solidare i është bashkuar edhe bashkësia Islame dhe shoqata bamirëse “Bereqeti” dega në Gjakovë.

Qytetarë të vullnetit të mirë janë bashkuar për t’i ndalë në ndihmë Shqipërisë, e cila u godit nga një tërmet tragjik të martën në orët e hershme, duke i lënë dhjetra të vdekur dhe qindra të lënduar. Solidariteti i treguar nga qytetarët dhe bizneset është shpirti i vërtetë i këtij populli./TV Syri Vision/