Gjakova
Shkronjat

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian zyrtarisht janë vendosur më 6 nëntor të vitit 2002 me të ashtuquajturin Mekanizëm i Stabilizimit dhe Shoqërimit ndërsa janë rikonfirmuar edhe në Samitin e Selanikut në vitin 2003. Kështu tha ambasadori i Kosovës në Bruksel Bernard Nikaj në tryezën tematike të organizuar nga shoqata e intelektualëve “Jakova” në Gjakovë.

Më 1 prill të vitit 2005 Komisioni Evropian pati miratuar një komunikatë mbi të ardhmen evropiane për Kosovën. Më tutje ato janë konsoliduar edhe gjatë procesit të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.Ndërsa tani Kosova merr pjesë në Procesin e Stabilizim Asocimit në Ballkan dhe konsiderohet si një kandidat i mundshëm potencial për një zgjerim të ardhshëm të Bashkimit Evropian.Andaj ky fakt është një hap pozitiv në drejtim të njohjes së plotë të Kosovës.Ai përmendi disa fakte që trgojnë se cilat janë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në.

Nikaj foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi i cili sipas tij është elementi definues i rrugës dhe mundësive të Kosovës  në raport me Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër kryetari i shoqatës së intelektualëve Ruzhdi Sefa në mes falënderimesh foli edhe për veprimtarinë e ambasadorit Nikaj. Ky diskutim organizua në kuadër të përvjetorit të konferencës së Rambujes.Mes tjerash u tha se politika e zgjerimit është projekti më i rëndësishëm i Be-së. Nga sot BE ka 27 anëtarë, pasiqë Britania e Madhe i ka dhënë fund anëtarësisë 47-vjeçare në këtë institucion që bashkoi vendet e Evropës perëndimore, fillimisht për arsye tregtare e dalëngadalë, edhe për arsye politike./TV Syri Vision