Gjakova
Shkronjat

Vendimi për ndërtimin e tri qendrave grumbulluese të qumështit në komunën e Gjakovës ishte marrë në korrik të vitit të kaluar, gjatë mbledhjes së bordit të drejtorëve të kësaj komune.

Kjo është njëra nga këto qendra, e cila ndodhet në fshatin Marmull, vlera e së cilës është 15 mijë euro. Gjatë përurimit të kësaj qendre, banorët u shprehën se ky projekt është një mundësi shtesë për blegtorët e kësaj ane.

Gjatë ceremonisë së hapjes së qendrës grumbulluese në këtë fshat, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se qëllimi i projekteve si ky është nxitja e fermerëve gjakovarë që të vazhdojnë të merren me këtë punë.

Ndërkaq, drejtori për Bujqësi, Pylltari, dhe Zhvillim Rural, Bekim Ermeni tha se kjo qendër do të jetë në shërbim të fermerëve të kësaj ane, por edhe të atyre që e përpunojnë qumështin.

 Qendra të tjera grumbulluese të qumështit të cilat janë investime kapitale të kësaj drejtorie janë edhe ato në fshatin Novosellë e Ulët si dhe në Botushë të kësaj komune. Kusari-Lila ka treguar se vlera e investimeve në këto tri qendra është 54 mijë euro./Tv Syri Vision/