Gjakova
Shkronjat

Komuna e Gjakovës vazhdon me mbështetje dhe subvencionim të fermerëve në sektorët e lavërtarisë, pemëtarisë dhe perimtarisë.

Bordi i Drejtorëve i Komunës së Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e radhës e cila është kryesuar nga kryetarja e komunës, Mimoza Kusari-Lila. Fillimisht, bordi ka miratuar kërkesën e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik për participim me njëzet përqind të vlerës totale të granteve nga organizata gjermane HELP, e cila edhe këtë vit do të ndaj grante për bizneset lokale të fokusuara kryesisht në sektorin e artizanateve në zhdukje. Komuna e Gjakovës për këtë projekt do të participoj me mjete në shumë prej 9,200 euro nga vlera e përgjithshme prej 46 mijë euro.

Nga Udhëheqësi i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, Armend Behluhi, është paraqitur edhe kërkesa për vazhdimin e pagesës së  qirasë për personat me aftësi të kufizuara nga skema e ri-integrimit, e cila ka gjetur mbështetjen nga bordi i drejtorëve. Më tutje në këtë takim, Bekim Ermeni, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka prezantuar dy kërkesa të cilat po ashtu kanë gjetur miratimin e Bordit të Drejtorëve. Kërkesa e parë ka të bëjë me subvencionimin e sektorëve lavërtari, pemëtari dhe perimtari me 25 copë moto kultivatorë të dorës, ndërsa kërkesa e dytë ka të bëjë me mirëmbajtjen e kanalit të ujitjes në fshatin Stubëll.

 

 

Në fushën e kulturës, bordi i drejtorëve ka miratuar edhe dy kërkesa të paraqitura nga Meriton Ferizi, drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka prezantuar. Është dhënë mbështetja për aktivitetin tradicional të revistës memorial “Nura, Bejtullahu, Domi”, ndërsa gjithashtu është miratuar kërkesa për subvencionimin e Qendrës Kombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” për manifestimin letrar “Në rrugëtim me Yllka Domin”. Në fund, bordi i drejtorëve ka dhënë miratimin edhe për kërkesat e Drejtorisë së Arsimit për subvencionimin e transportit të nxënësve me aftësi të kufizuara si dhe dy kërkesat tjera që kanë të bëjnë me lejimin e ndërtimit të shkollave sipas projekteve.