Gjakova
Shkronjat

Kjo është hera e dytë brenda një muaji, që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa viziton Aeroportin e Gjakovës, i cili që nga viti 2014 është i themeluar si ndërmarrje publike nga qeveria e Kosovës.

Kësaj radhe, i pari i Qeverisë së Kosovës, erdhi së bashku me ministrin e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Haki Demollin, si dhe atë të Ministrisë së Infrastrukturës, Lutfi Zharkun. Ata u pritën nga e para e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, si dhe menaxhmenti dhe bordi i Aeroportit të Gjakovës. Pas takimit të përbashkët që patën me dyer të mbyllura, ata vizituan edhe hapësirat dhe asetet milionëshe të aeroportit. Kusari-Lila tha se së bashku me kryeministrin dhe ministrat,diskutuan rreth mënyrave më të mira për funksionalizim të këtij aeroporti.

Ndërkaq, i pari i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, tha se ky aeroport është aset i rëndësishëm për zhvillim ekonomik të Gjakovës por edhe tërë Kosovës. Sipas tij nuk është e drejtë që këto hapësira dhe këto asete të qëndrojnë jashtë funksionit. Mustafa foli edhe rreth mundësisë për blerjen e helikopterëve për këtë ndërmarrje publike.

Sipas kryetares së komunës së Gjakovës, mundësitë për mënyrën e funksionalizimit të këtij aseti janë të shumta, duke filluar prej shkollës së aviacionit. Ajo tha se shumë shpejt do të bëhet studimi i fizibilitetit.

 

Pista e Aeroportit të Gjakovës ka një gjatësi prej 1800 metra, e përshtatshme për cdo lloj aterimi, fakt ky që u tha edhe nga ata që e vizituan sot këtë ndërmarrje./Tv Syri Vision/