Gjakova
Shkronjat

KRU "Radoniqi" njofton konsumatorët që së shpejti, në Gjakovë do të filloj ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura, një investim dhe përpjekje e radhës për të mbajtur pastër burimet ujore të zonës, lumenjtë por edhe mjedisin përreth.

“Për të gjithë ne, është e qartë se aktualisht të gjithë ujërat e ndotura shkarkohen në lumenjë, e bashkë me to edhe substanca e materie të rrezikshme të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në ndotjen e ambientit dhe shkatërrimin e proceseve biologjike në ujë dhe më gjerë”, thotë zëdhënësja e kompanisë Kaltrina Rudi.

Për këtë qëllim, KRU "Radoniqi" do të nis grumbullimin e të dhënave mbi klientët industrial duke vizituar kompanitë dhe bizneset e ndryshme dhe të gjitha veprimtaritë biznesore të cilat shkarkojnë ujërat e ndotura në sistemin e kanalizimit publik ose jo.

Gjatë vizitës dhe takimeve me pronarët e sipërmarrjeve, punonjësit e KRU "Radoniqi"do të ju ofrojnë që të plotësoni një pyetësor me të dhëna të cilat kanë për qëllim marrjen e informacionit në lidhje me shkarkimin potencial të ujërave të ndotura në sistemin e kanalizimit.

"Ne ju lutemi miqësisht të gjithë sipërmarrësve, pronarëve dhe menaxherëve të këtyre veprimtarive që të bashkëpunojnë me personelin e KRU "Radoniqi" me qëllim që grumbullimi i të dhënave të kërkuara të bëhet në mënyrën më të lehtë dhe transparente që është e mundur.

KRU "Radoniqi" ju falënderon për bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj".