Gjakova
Shkronjat

Zgjodhën pikërisht sheshin, i cili mban emrin e tij për ta nderuar. Në pesëvjetorin e ndarjes nga jeta të poetit të madh shqiptar, Ali Podrimja, në këtë park kulturor u organizua mbrëmje e poezisë me program artistik.

Mbrëmjen e hapi aktori Edi Kastrati, duke lexuar një nga poezitë e preferuara të tij, të shkruar nga Ali Podrimja.

Poezi u lexuan edhe nga aktorët e Teatrit të Qytetit të Gjakovës.

Njëri nga iniciatorët për parkun kulturor “Ali Podrimja”, u shpreh se ideja për këtë shesh, erdhi si rezultat i vullnetit të disa të rinjve gjakovarë për të lartësuar figurën e poetit.

Gjatë kësaj mbrëmjeje, u lëshua edhe një foto dokumentar i përgatitur nga Blerim Valla, kushtuar princit të poezisë, Ali Podrimja.Ndërkaq e bija e tij, Donika, u shpreh mirënjohëse për nderimin që po i bën komuna e Gjakovës figurës së babait të saj.

Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe sot nga kritika vlerësohet si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare./Tv Syri Vision/