Gjakova
Shkronjat

Është një nga projektet e paraqitura në konferencën e donatorëve nga tashmë ish-kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Sot, tri vite pas ideja për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare po jetësohet. E vënien e gurthemelit të kësaj qendre e bëri ish-kryetarja e Gjakovës së bashku me nënkryetarin e kësaj komune, Armend Vokshin si dhe të parin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në Gjakovë, Basri Komonin.

Ish-kryetarja e komunës së Gjakovës, tashmë deputete në Kuvendin e Kosovës, u shpreh e lumtur që synimi i tyre për zhvendosjen e kësaj qendre në një lokacion tjetër më të përshtatshëm po bëhet realitet.

Ndërkaq, drejtori për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, Basri Komoni, tha se objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare do të sjellë shërbime më të mira për pacientët.

Projekti për ndërtimin e këtij institucioni shëndetësor financohet nga Ministria e Shëndetësisë, si rezultat i marrëveshjes që është arritur me Kuvendin Komunal të Gjakovës. Prezentë në fillimin e punimeve, ishin edhe përfaqësues nga Klubi Rotarian Ndërkombëtar, të cilët sipas Kusari-Lilës janë treguar të gatshëm të ndihmojnë me furnizim të kësaj qendre me mjete të nevojshme./Tv Syri Vision/