Rajoni
Shkronjat

Maqedonia ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit rural, por edhe pse kjo degë për shumë vite është përmendur shpesh herë deri më tani, pothuajse nuk është bërë asgjë për të shfrytëzuar realisht potencialet e vendit, shkruan gazeta KOHA.

Megjithatë, dhjetëra investime private në formën e hoteleve dhe restoranteve në disa fshatra të Maqedonisë tregojnë se ideja e zhvillimit të këtij lloj turizmi mund të jetë e suksesshme. Shteti për herë të parë këtë vit siguron fonde që do të ndahen si subvencione për ata që duan të zhvillojnë seriozisht turizmin rural.

Në thirrjen publike për pjesëmarrje, e cila është i hapur deri më 30 shtator të këtij viti, janë siguruar para shtetërore me vlerë prej 2.5 milionë euro. Të drejtën për marrjen e subvencioneve e kanë të gjithë personat fizik të cilët kryejnë veprimtari hotelerike me kërkesat autentike tradicionale, ku do të ofrohet mbulimi prej 60 për qind e kostove për të realizuar idenë, respektivisht jo më shumë se 200.000 denarë.

Vetëm duhet që familjet rurale të kenë kryer bizneset hotelerike dhe do të kategorizohen në pajtim me rregulloren mbi metodën dhe kriteret për marrjen e shumës në përputhje me shërbimin hotelerike.

Kompetentët shpjegojnë se për të marrë subvencionet, objektet duhet të organizohen dhe të pajisen në përputhje me traditën e rajonit, në të cilën është e vendosur objekti. Duhet të ruhet tradita rreth përgatitjes dhe shërbimit të ushqimit të nxehtë dhe të ftohtë, lëngje për zonën ku gjenden amvisëritë në fshat, të ofrojnë shërbime për akomodim, edhe atë më shumë se 10 dhoma, gjegjësisht 20 krevate.

Duhet të merret parasysh edhe pamja e jashtme e shtëpisë, e cila duhet të jetë e pa dëmtuar, ndërsa rrethina të jetë e mirëmbajtur. Pjesa më e madhe e popullsisë në komunat ku ka kushte për zhvillimin e turizmit rural tashmë kanë filluar përgatitjet për realizimin e idesë, por thonë se ata ende kanë nevojë për më shumë mbështetje institucionale, përcjell KOHA.

Njerëzve u nevojitet shpjegim i projektit, ndërsa më tej edhe ndihmë në promovimin e lokacioneve dhe objekteve para vizitorëve të huaj. Komisioni do të ndajë subvencionet sipas parimit “i pari erdhi, i pari u shërbye”, pra në bazë të kohës se paraqitjes së kërkesës për thithjen e mjeteve. Përderisa personi që ka marrë subvencionin ka ndaluar së punuari në këtë sektor para skadimit të një viti nga të ardhurat, atëherë ka detyrim që të kthejë 80 për qind të subvencioneve.

 

Gjithashtu, nëpërmjet komisioneve të veçanta do të kontrollohet funksionimin i këtyre familjeve. Aplikuesit që kërkojnë bashkëfinancim të shpenzimeve për blerje të pajisjeve për këtë dedikim, janë të detyruar që pajisjen e furnizuar mos ta largojnë në afat prej dy viteve nga dita e blerjes.