Rajoni
Shkronjat

Populli maqedonas nuk ka arsye për t’u frikësuar nga bartja e një prej funksioneve kyç shtetërore prej një shqiptari, cilido qoftë ai, e në veçanti nga unë konkretisht. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” kryetari i parë shqiptar i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Për herë të parë në histori të Republikës së Maqedonisë në krye të Kuvendit të saj vjen një shqiptar. Ish-ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, të enjten mbrëma me shumicë votash është përzgjedhur kryetar i ri i legjislativit.

Në një intervistë, Xhaferi ka thënë se ky fakt është një moment kthese për shqiptarët. Për ish-ministrin e Mbrojtjes ka ardhur momenti që të gjithë në Maqedoni të kuptojnë se shqiptarët janë komb shtetformues dhe jo qytetarë të rendit të dytë.

Në komentet e para të tij pas zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, Xhaferi ka përgënjeshtruar zërat se shteti po rrezikohet nga “Platforma Shqiptare” si një kauzë për “Shqipërinë e Madhe”.

Madje, ai ka porositur kryeministrin Nikolla Gruevskin që ta bëjë bartjen e pushtetit në mënyrë të qetë nëse i mendon realisht interesat e qytetarëve maqedonas, të cilët ai përfaqëson.

Në të kundërtën, Xhaferi ka thënë se pozita si subjektivitet ndërkombëtar e Maqedonisë do të goditet fuqishëm.