Rajoni
Shkronjat

Kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili u zgjodh në një situatë kaotike nga shumica parlamentare më 27 prill, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) njofton se afati dhjetë ditor ka filluar nga dita e djeshme, ndërsa nuk përjashton mundësinë që presidenti Ivanov të refuzojë mandatimin e liderit të LSDM-së.

Ai thekson se mos dhënia e mandatit nga presidenti, sipas rregullores dhe kushtetutës nuk është pengesë për shumicën parlamentare që të vazhdojë me seancën për zgjedhje të qeverisë.

“Për praktikën parlamentare nuk do të ishte mirë që kreu i shtetit të mos përmbushë obligimin e tij për shkak se do të bënte praktikë të keqe parlamentare në të ardhmen, sepse mbi atë praktikë do të mundësonte që edhe kryetarët e radhës të shtetit do të ishin në mundësi të shfrytëzonin një praktikë, e cila është praktikë e keqe, por e përdorshme dhe e mundshme në të ardhmen nëse Ivanov vendos në këtë drejtim të lëviz kundrejt obligimeve të veta”, shprehet Xhaferi.

Xhaferi shton se si pasojë e ngjarjeve të 27 prillit, presidenti Ivanov duhet të ketë reflektuar në kuptimin e njohjes së shkallës së rrezikshmërisë për ecuritë e funksionimit të institucioneve shtetërore në vend dhe se do të respektojë obligimin e tij kushtetues për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re.

Askush nuk ka nevojë të jetë i frikësuar që Parlamenti udhëhiqet nga një shqiptar

Në historinë e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi është shqiptari i parë që do të udhëheq një nga tre funksionet më të larta shtetërore. Për këtë zgjedhje Xhaferi thotë se është një përfitim politik në kuptimin e perceptimit të statusit kolektiv të shqiptarëve në Maqedoni.

“Përfitimi është se verifikohet aftësia dhe mundësia e shqiptarëve në Maqedonisë përkrahë qytetarëve tjerë që kanë kapacitetin e duhur intelektual, mental, institucional dhe profesional për të menaxhuar dhe për të udhëhequr me organet më të lartë ose me institucionet më të larta shtetërore, e drejtë njerëzore për mundësi të barabarta në qasjen ndaj institucioneve”, deklaron Xhaferi. Sipas tij, kjo do të kontribuojë që shqiptarët më tepër të mishërohen dhe të shohin veten aty ku janë të bindur se e kanë vendin, si dhe siç tha ai, në atë se ndajnë kontributin e tyre në çdo aspekt, përfshirë në ndërtimin e shtetit dhe institucioneve shtetërore.

Xhaferi duke marrë shembull vitin 2013 kur ai u zgjodh ministër i Mbrotjes, veprim i cili u shoqërua me protesta të dhunshme, ndërsa pas skadimit të mandatit kishte lëvdata për kryerjen e funksionit me sukses, shprehet se asnjë qytetar nuk ka nevojë të jetë i frikësuar nga fakti që Parlamenti udhëhiqet nga një shqiptar.

“Rezultati i menaxhimit me Ministrinë e Mbrojtjes në fund del se ishte perceptim pozitiv i të gjithë qytetarëve dhe për atë arsye mendoj se edhe kjo frikë e rrejshme dhe e imponuar e një pjese të qytetarëve, pas fillimit të zbatimit të funksionit kryetar parlamenti do të shuhet dalëngadalë duke e parë se Parlamenti as nuk do të shkon në Tiranë, as nuk do të transferohet në Prishtinë, as nuk do të jetë parlament tunguzie, por do të jetë Parlament i Maqedonisë me të gjitha nishanet brenda Maqedonisë”, deklaron Xhaferi.