Kosova
Shkronjat

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka thënë se rasti i vdekjes së Astrit Deharit, tregon më së miri gjendjen në të cilën është Kosova.

Çaushi këto komente i bëri në Info Magazine të Klan Kosovës, duke iu referuar autopsisë të cilën e ka quajtur skandaloze, të aktivistit tashmë të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Deharit, i cili u gjet i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Çaushi ka thënë se në Parlament ka deputetë të cilët kur është në pyetje jeta e qytetarëve në Kosovë, nuk japin votën dhe nuk japin mbështetjen e tyre.

”Kemi një shumicë deputetësh që sa herë ka të bëjë me jetën e qytetarëve asnjëherë nuk japin votë. Është e katërta herë që deputetët nuk votojnë kur bie fjala për çështje të caktuara apo për aktivistët e Vetëvendosjes. Ka ndryshuar shumë sjella e pushtetit ndaj Vetëvendosjes”, tha ai.

”Ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për Astritin. Një raport i fundit i një agjencioni të huaj, konsideron Kosovën një territor që mbajnë pa fakte aktivistë në burg e kthehen në arkivole”.

”Si mund të akuzohemi ne për politizim kur është fjala për një shok, aktivist që ia dedikoi gjithë aktivitetin e tij kësaj kauze politike në vend. Nuk e di si do të ndodhte, por në një vend të Bashkimit Europian që e kanë nevojë pushtetarët tanë, ndodhin dorëheqjet e këtu nuk ndodhi”.

Ai tha se “Do të ishte naive të mos merreshim ende me rastin e Astrit Deharit. Qoftë edhe me viktima e me të arrestuar pa asnjë faj synon të mbajë vetën në pushtet”.

 

”Sylë Hoxha ka manipuluar me raportin e autopsisë. Ka paragjykuar në vrasje me shkas. Ai ka thënë sipas hetimeve shkaku i vdekjes është vetëvrasja. Hetimet ende nuk patën përfunduar. Raporti i autopsisë për Astrit Deharin, ka qenë skandaloz në aspektin mjekësor”.

 

”Kërkoj nga çdo mjek çdo ekspert, që ta lexojë atë raport se ai është një skandal. Aty nuk ka asnjë profesionalizëm. Aty parashikohet një vdekje e cila assesi nuk mund të ndodh në atë mënyrë. Institucionet e kriminalizuara e hasim në secilin dikaster, duke përfshirë policinë dhe sistemin e drejtësisë”, ka thënë Çaushi, njofton Klan Kosova.