Kosova
Shkronjat

Partitë politike tashmë kanë nisur takimet për mundësinë e lidhjes së koalicioneve për balotazh, që do të mbahet më 19 nëntor.

Së fundmi është realizuar koalicioni mes VV-së dhe AKR-së në Komunën e Prishtinës, si dhe në mes të po VV-së me AKR-në në Mitrovicë, por disa parti tjera ende nuk kanë vendosur se kë do ta përkrahin.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati, në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se akoma nuk është vendosur për koalicionet e mundshme nëpër shumicën e komunave që do të jenë në balotazh.

Edhe sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, tha se nuk kanë ende ndonjë marrëveshje për koalicion në raundin e dytë të zgjedhjeve, por, sipas tij, javën tjetër do të merret vendim rreth kësaj çështjeje.

Ndërsa, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Vesel Makolli, ka potencuar se për ta me rëndësi është qyteti i Mitrovicës.

“Është arritur koalicioni me Vetëvendosjen në komunën e Mitrovicës. Në Kamenicë po ashtu kemi arritur marrëveshje për ta mbështetur kandidatin e LDK-së për kryetar”, tha Makolli.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, theksoi se deri tani ky subjekt ka lidhur tri koalicione. “Deri më tash janë lidhur tre koalicione në nivel lokal, në Dardanë me AAK-në, Prishtinë me AKR-në dhe në Mitrovicë me AKR-në”, u shpreh Kurti.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për të mësuar rreth koalicioneve të mundshme të kësaj partie, por nuk ka marrë përgjigje.

Po ashtu, Telegrafi ka provuar të marrë deklaratë edhe nga përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por kontakti me ta ishte i pamundur.

Ndryshe, kandidatët  e partive politike në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale nuk janë deklaruara për vija të kuqe të bashkëpunimit, dhe si rrjedhojë koalicionet ndërmjet tyre mund të ndryshojnë nga komuna në komunë.