Kosova
Shkronjat

Qindra qytetarë u mblodhën sot para Teatrit Kombëtar për të protestuar kundër ndotjes së ajrit.

Shumë prej tyre mbanin në dorë parullat si: “Ky ajër po ma nxen frymën”, “Nuk po mundem me marrë frymë”, “U ngufatëm, plasëm”, “Po du ajër”, “Shpend duaje Prishtinën”, “Helm” etj. Qytetarët po kërkojnë veprime konkrete nga udhëheqësit e vendit. Nuk duan të dëgjojnë vetëm fjalë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kushtuar ndotjes së ajrit

“Nuk duam më t’ju dëgjojmë duke folur, ju kemi dëgjuar qe 17 vjet, tash duam ajër, duam ajër të pastër”, tha Vullnet Krasniqi, njëri prej organizatorëve të protestës.

Përveç parullave që mbanin në dorë, u panë edhe qytetarë që protestuan në mënyrë kreative.

Me maskë në fytyrë, një qytetar kishte vendosur shumë kavanozë me ajër të pastër, për të shprehur pakënaqësitë e tij për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit.

Një tjetër ishte bërë si pemë për të kërkuar më shumë gjelbërim dhe ajër të pastër në kryeqytet

Në prapavijë vazhdimisht dëgjoheshin persona nga zmadhueset e zërit, të cilët improvizonin frymëmarrje me vështirësi.

Me protestuesit u solidarizuan edhe Policët e Kosovës të cilët mbanin maska në fytyrë. Aty u pa edhe deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, si dhe fytyra të tjera publike

Protesta vazhdoi e qetë, më pas të njëjtat parulla u vendosën para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Qëllimi i tyre ishte që t’i shohin deputetët, të cilët në orën 15:00 pritet të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme për ndotjen e ajrit. Seancë të jashtëzakonshme pritet të mbahet edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Sidoqoftë, protestuesit thanë se nuk duan më të dëgjojnë fjalë, duan veprime të menjëhershme, konkrete.

Kjo protestë përfundoi e qetë. Organizatorët paralajmëruan protestë tjetër, nëse organet kompetente nuk fillojnë seriozisht të ndërmarrin veprime konkrete.

Protestuesit shpalosën këto kërkesa: Plani i kogjenerimit, bileta mujore më të lira dhe hapësira të reja gjelbëruese,raporton Gazeta Express.

Prishtina ka kohë që po përballet me shkallë tejet të lartë të ndotjes së ajrit. Madje ajri i ndotur ka arritur nivelin e rrezikshmërisë. Gjatë ditës së diel, ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj tha se ky problem është i trashëguar dhe se nuk mund të zgjidhet me shkop magjik.

Ndërsa gjatë të hënës, komuna e Prishtinës bashkë me Ministrinë e Ambientit, vendosën që të ndalojnë shitjen e thëngjillit brenda Prishtinës si dhe qarkullimin e veturave nga ora 06:00 deri në orën 22:00./Gazeta Express/