Kosova
Shkronjat

Atë që e ka raportuar mbrëmë Gazeta Express se gjatë darkës në rezidencën e Behgjet Pacolli është diskutuar ndërtimi i godinave të reja qeveritare në Hajvali, është konfirmuar sot. Presidenti Hashim Thaçi sot këtë temë e ka hapur gjatë adresimit të tij në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se Kosova ka “nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore”.

Gazeta mbrëmë ka raportuar se Presidenti Thaçi ka dalë me propozim që Qeveria e Kosovës dhe institucionet përcjellëse të barten në Hajvali. Madje, merret vesh që në vilën e Pacollit janë përmendur edhe ndërtuesit potencialë.

E nuk ka vonuar, këtë ide Thaçi e ka shpalosur sot publikisht gjatë adresimit të tij në Qeveri.

“Në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë dhe dekadat e ardhshme, duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror. Në shërbim të këtij qëllimi, kabinetit qeveritar i bëra tri propozime, të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të vendit tonë. Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore, si domosdoshmëri e kohës dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës” ka thënë Thaci.

Por, në rezidencën e Pacollit, në takimin joformal, të Qeverisë, një ditë para se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ta procedojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është folur pikërisht për demarkacionin, por sic u pa sot nuk ka pasur ndonjë marrëveshje.

Ndryshe Thaci para Qeverisë ka shaplosur edhe dy propozime tjera.

“Së dyti, e dimë se vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por ,kjo nuk mjafton. Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë “Muzeu i Pavarësisë”, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Dhe, së treti, kryeqyteti i Kosovës, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e Obeliskut të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilët do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota. HTH” ka shkruar ai.