Kosova
Shkronjat

Të martën, më 20 shkurt në orën 13:00, do të organizohet protestë paqësore për Kosovën në Bruksel

Në një njoftim për media të dërguar nga Nusret Pllana thuhet se me këtë protestë kërkohet liberalizimi i vizave për Kosovën, njohja nga pesë shtetet e BE-së etj.

“Bashkatdhetarë të nderuar të Belgjikës, të Evropës e më gjerë, Kosova dhe kombi ynë ka nevojë për bijtë dhe bijat e veta. Për 10 vjetorin e Kosovës si shtet, me një iniciativë të profesorit Nusret Pllana, në kuadër të dorëzimit të 751 eurodeputetëve dhe 28 eurokomisionerëve të librit të tij ‘Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999’, do të mbahet një protestë paqësore përpara Parlamentit evropian”, thuhet në njoftim.

Në këtë protestë do të kërkohet: Liberalizim i vizave për banorët e Kosovës pa kushtin e demarkacionit; njohje nga 5 shtetet evropiane (Spanjë, Sllovaki, Qipro, Greqi dhe Rumani) të pavarësisë së Kosovës; kushtëzimi i njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Serbia për vazhdimin e integrimit evropian dhe që të gjithë shtetet e Ballkanit perëndimor të bëhen pjesë të BE-së në të njëjtën kohë./GazetaExpress