Kosova
Shkronjat

Majorët policorë Nenad Simiq, Ivan Aksentijeviq, Sasha Millutinoviq dhe Sreçko Banoviq, të caktuar nga Prishtina në pozitat udhëheqëse të policisë në veri, dhe të cilët është dashur të fillojnë punën e tyre në pozitat e reja që nga dita e hënë, nuk janë paraqitur në punë fare gjatë dy ditëve të kaluara.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se majorët e lartpërmendur janë kërcënuar me jetë gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, nëse fillojnë punën në pozitat në të cilat janë caktuar nga MPB-ja e Kosovës. “Eprorët në fjalë që është dashur nga dje të fillojnë punën në pozitat udhëheqëse, përkatësisht në sektorët e hetimeve, administratës, forenzikës dhe NJRSH-së në Drejtorinë e policisë së veriut, kanë marrë mesazhe kërcënuese përmes telefonit nga një numër anonim, që dyshohet të jenë dërguar nga pjesëtarë të fuqishëm të nëntokës në veri. Atyre u është thënë se do të likuidohen nëse pranojnë pozitat e reja të caktuara nga Prishtina”, kanë thënë burimet. Mësohet se eprorët në fjalë as sot gjatë kohës kur po raportojmë nuk janë lajmëruar në punë.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë gjatë ditës së djeshme me përgjegjësit e policisë në veri pë të marr një prononcim në lidhje me çështjen, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndërkaq, i kontaktuar përmes telefonit, zëdhënësi i policisë në Drejtorinë e përgjithshme në Prishtinë Baki Kelani, ka konfirmuar se është në dijeni për mos paraqitjen e eprorëve të rinj policorë në punë, por ka sugjeruar që pyetjet t’i dërgohen në adresë zyrtare përmes postës elektronike. Megjithatë, ai nuk ka kthyer ndonjë përgjigje. Ndryshe,

Agjencia e Lajmeve KosovaPress pati raportuar ditë më parë se udhëheqësit në policinë e Kosovës për rajonin e veriut të cilët nuk kanë pasur gradat përkatëse për punën që kanë kryer, janë zëvendësuar me urdhër të MPB-së së Kosovës me njerëz të kualifikuar, të cilët është dashur të fillojnë punën që nga dita e hënë.

 Sipas burimeve të KosovaPress-it, sektorin e hetimeve rajonale me të cilin deri tani ka udhëhequr Millan Ristoviq, do ta marr majori Nenad Simiq.

Me të njëjtën gradë, në pozitën e shefit të administratës rajonale të veriut në policinë e Kosovës, të cilën e ka udhëhequr deri tani Dragan Kovaçeviq, do të vie majori Ivan Aksentijeviq. Në vend të Veselin Kadiq, me njësitin e forenzikës do të udhëheqë majori Sasha Millutinoviq, ndërsa shef i ri i NJRSH-së në veri tani e tutje është caktuar Sreçko Banoviq, në vend të Uglesha Jarediq, i cili ka udhëhequr deri tani me këtë njësit. /KosovaPress/