Kosova
Shkronjat

Deputetët e Listës Serbe kanë marrë vendimin për t’u kthyer në Kuvendin e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetari i Listës Serbe Slavko Simiq. Simiq tha se vendimi është marrë “në përputhje me interesin e popullit serb, respektivisht të bashkësisë serbe që jeton në Kosovë dhe të të qytetarëve që jetojnë në Kosovë”.

“Ditët e kaluara kemi biseduar brenda Listës Serbe për të gjithë mekanizmat të cilët i posedojmë që përmes institucioneve ta kundërshtojmë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës dhe ta nisim procesin e krijimit të Asociacionit të Komunave serbe”, tha Simiq.

Sipas tij, “Prishtina dhe politikanët e Kosovës ka kohë që flasin përpara bashkësisë ndërkombëtare sikur duan ta nisin procesin e krijimit të Asociacionit, por për shkak të mospjesëmarrjes së serbëve në institucione nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë”.

“Duam ta pengojmë Prishtinën që të nisë vetë krijimin e Asociacionit pa përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës dhe komunitetin serb, sepse marrëveshja për Asocacionin është në pronësi të popullit serb në Kosovë dhe ne do të kemi rolin kryesor në hartimin e statutit dhe krijimin e Asociacionit”, tha Simiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se “përmes institucioneve duam të japim kontributin që të ecim drejt procesit të krijimit, të bisedojmë me partnerët tanë të koalicionit, të nisim këtë çështje në mbledhjen e Kuvendit, përmes këshillave të Kuvendit dhe në mbledhjet e qeverisë si dhe në komisionet ndërqeveritare”.

“Përmes institucioneve ta kundërshtojmë çdo ligj dhe proces që është në kundërshtim me interesat e popullit serb dhe që shkel interesat jetike të komunitetit serb që jeton në Kosovë. Vendimi është marrë në një moment të drejt dhe mënyra jonë e protestës ka patur efekt“, tha kryetari i Listës Serbe. Lista Serbe në shenjë kundërshtimi me miratimin e ligjit për Trepcën dhe për Investimet Strategjike që prej tetorit të vitit të kaluar ka bojkotuar punën e institucioneve të vendit, përfshirë edhe Kuvendin.

Një përpjekje për kthim u bë pak muaj më parë kur një grup i ndarë i Listës u kthye në Kuvend, duke përjashtuar dy deputetë të saj dhe duke zëvendësuar njërin ministër të Listës me një tjetër. Lista Serbe sërish doli nga institucionet e Kosovës dhe rikthimi i paralajmëruar mund t’i japë fund bojkotit disa muajsh.