Kosova
Shkronjat

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në debatin Fol Hapur, të organizuar nga Lëvizja Fol tha se procesi i formimit të ushtrisë së Kosovës është i pandalshëm dhe se askush nuk do të lejohet të përdorë veton, për ta penguar këtë proces.

Megjithëse ka filluar iniciativën për transformimin e ushtrisë përmes Ligjit, Thaçi tha se ende ka kohë që serbët të binden dhe kjo të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, ashtu edhe siç po kërkojnë partnerët strategjik.

Presidenti i Kosovës tha se iniciativa e cila u mor nga ana e tij për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës përmes Ligjit, është krejtësisht legjitime dhe kushtetuese dhe se kjo iniciativë, ende mbetet në agjendë.

 

“Unë konsideroj që institucionet tona ende kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme, që bashkërisht të bëjnë dhe një përpjekje të fundit, që të sigurojnë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e forcave të armatosura të Kosovës, përmes ndryshimeve kushtetuese. Sepse unë konsideroj se ky është opsioni më i mirë i mundshëm...Vetëm përpjekjet e mia janë të pamjaftueshme. Prandaj kërkohet nga të gjithë, nga të gjitha institucionet duke përfshirë shoqërinë civile, natyrisht dhe partnerët tanë strategjik të jenë të involvuar, për çka tanimë veç kemi konfirmimin. Tani që kemi risi nga momenti që ka filluar iniciativa ime ligjore për themelimin e Forcave të Armatosura përmes ligjit, sepse komuniteti serb veç është kthyer në parlament dhe Lista ‘Srpska’  është kthyer në Qeverinë e Kosovës. Unë dua të besoj se ky rifillim i përpjekjeve tona, do të jetë produktiv sepse do të jetë i sinqertë, transparent, shumë i hapur për të gjithë...Andaj shpresoj se ky proces do të përmbyllet me përkrahjen dhe pjesëmarrjen direkte të përfaqësuesve të komunitetit serb..... Do të dëshiroja që një qëllim i tillë jetik, i lartë,  të marrë mbështetjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe të ndodh nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Në rast të kundërt e kam bërë të qartë, se askush nuk do të mund të përdor veton, për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Dhe tashmë kjo është bërë e qartë shumë herë dhe e ritheksoj edhe sot se askush nuk do të mund të vejë veto për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Është proces i pandalshëm”, tha Thaçi.

Thaçi nuk ka dashur të komentojë deklaratën e  ambasadorit amerikan Greg Delawie, i cili ka thënë se iniciativa e presidentit për themelim të ushtrisë ka qenë e ngutshme. Lidhur me këtë   Thaçi tha se edhe ai dhe Delawie kanë të drejtë.

Ndërsa sa i përket  zgjedhjes për president  të  Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Thaçi theksoi se Kosova nuk duhet të humbë kohë, për t’u marrë me zhvillimet në Serbi. Ndërsa tha se me rëndësi jetike, është implementimi i marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve..

 

“Sa i përket zhvillimeve ne Serbi,  unë mendoj që opinioni kosovar nuk duhet të humb kohë, sepse ajo është vend fqinj, bën zgjedhjen e vet. Edhe kur ka zgjedh Millosheviqin e ka bërë zgjedhjen e vet. Edhe kur e ka zgjedh Vuçiqin, është zgjedhja dhe vullneti i njerëzve të Serbisë dhe identifikohet me lidershipin e vet sikurse ne që identifikohemi me tonin.... Natyrisht se nga ne mbetet që të punojmë në përpjekje tona për normalizimin e plotë të marrëdhënieve nder shtetërore.  Serbia është një nga vendet e rajonit, nuk është ndonjë vend në kuptimin e qendrës rajonal. është një nga fqinjët e republikës së Kosovës. Sa me tepër që Serbia lëviz drejt perspektivës evropiane,  është mirë për Kosovën dhe rajonin”, tha Thaçi.

Në këtë debat presidenti ka folur edhe për Demarkacionin Kosovë-mali i Zi, për të cilin beson se do të kalojë dhe se i mbetet Qeverisë së Kosovës ta bëjë këtë dhe të lëvizë përpara.

 

“Askush nuk mund të justifikohet që opozita s’po voton. Sepse tek e fundit partnerët e koalicionit i kane  89 apo 90 vota dhe e kanë obligim me e kalu dhe duhet të tregojnë zotësinë dhe përgjegjësinë e tyre apo definitivisht të sqarohen me opinionin publik,  se çka dhe si po lëvizin më tutje. Sepse është e pajustifikueshme që qytetarët e vendit të mbesin viktimë e disa deputetëve,  që nuk e votojnë këtë proces, që për mua është i saktë i drejtë dhe i pranueshëm dhe prej ekspertëve vendor dhe prej atyre ndërkombëtar. Pra duhet të bëhet dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, që nuk është produkt vetëm i Brukselit por dhe dokumentit të Ahtisarit. Pastaj në procesin e Vjenës dhe tash është realitet dhe kjo është plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Qeveria duhet të lëviz shpejt në themelimin e këtij Asociacioni”, tha presidenti.

 Thaçi në këtë debat është pyetur edhe rreth ndalimit të kreut të AAK-së Ramush Haradinaj tash e sa kohë në Francë, me akuzat për krime lufte, për të cilin  beson se ai do të lirohet së shpejti, duke theksuar se kësaj radhe Franca është viktimë e akuzave të shpifura nga Beogradi.

 

“Sa i përket zotit Haradinaj, ai  mbahet padrejtësisht në Francë,  me aktakuza te kohës së Sllobodan  Millosheviqit, për fat të keq të fuqizuara prej qeverive të pas Millosheviqit, por që janë të njëjta. Unë besoj plotësisht në lirimin e tij shpejtë dhe ai t’i kthehet jetës dhe familjes  dhe jetës politike.  Ato akuza janë të rrejshme, te paqëndrueshme. Unë kam besim te plote që drejtësia franceze  do te marre vendimin e merituar”, tha ai.

I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, pasi që koalicioni po tregohet i pafuqishëm për t’i shtyrë proceset përpara, ai tha se do ta respektojë mandatin kushtetues dhe ligjor të institucioneve. Ndërsa theksoi se nuk është fundi i botës edhe po të shkohet në zgjedhje, në rast se partitë e koalicionit merren vesh për këtë.

 

“Do ta respektoj mandatin kushtetues dhe ligjor të institucioneve. Ndërsa nëse ka vullnet të spektrit politik, jam një prej atyre kryeministrave që dy herë kam shkuar në zgjedhje të parakohshme, në atë moment që e kam parë që është në interes për vendin dhe të ketë institucione më efektive. Kështu që nuk është fundi i botës dhe me shku në zgjedhje të parakohshme, por për gjithçka duhet të ketë marrëveshje të spektrit politik. Marrëveshjet e spektrit politik unë nuk jam ai që i refuzoj. Përkundrazi respektoj dhe do ta vlerësoj. Por përsëri unë jam president i të gjithëve, nuk marrë anë as këndej as andej. Merret vesh spektri politik le të shkojnë në zgjedhje. Nuk merren vesh le të vazhdojnë. Por se a ka nevojë Kosova për efektivitet më të madh, jam i bindur se ka”, tha Thaçi.

Presidenti përsëriti se Kosova  po bën hapat e nevojshëm dhe përgatitjet procedurale,  për ta paditur Serbinë për  gjenocid.

 

“Është aspekt procedural të cilin ne duhet ta respektojmë. Duhet t’i bëjmë dhe disa hapa tjerë që janë të nevojshëm në rrafshin e diplomacisë. Gjithashtu duhet të bëjmë dhe disa hapa të tjerë në rrafshin për të siguruar qasjen e në të njëjtën kohë bazamentin e pa kontestuar legal për të drejtën  tonë për akuzë për gjenocid të Serbisë në Kosove. Ndërsa se a ka kryer Serbia gjenocid në Kosove apo jo, e dine  tërë bota. Aktualisht jemi në procesin e përgatitjeve  procedurale të bazës legale që të mos kontestohemi nga askush, në këtë të drejtë tonë“, tha presidenti i vendit.

 Në këtë debat presidenti është pyetur edhe nëse dialogu  Kosovë-Serbi,  do të kalojë në nivel presidentësh, e për të cilin tha se kjo varet nga Bashkimi Evropian. /S.Zogaj/KosovaPress/