Kosova
Shkronjat

Presidenti Hashim Thaçi është takuar sot me ministren e Jashtme të Suedisë, Margot Wallstorm, me të cilën ka biseduar rreth zhvillimeve në rajon, dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe për procesin e integrimit në BE, për të cilën Thaçi tha se BE’ja është lodhur me zgjerim, mirëpo aspirata e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e familjes europiane nuk bën të pasojë për shkak të kësaj lodhjeje.

Presidenti Thaçi në takim me kryediplomaten suedeze, Margot Wallstorm, ka thënë se vonesa e BE’së për të afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor është kërcënim për sigurinë.

“E kuptojmë që BE është e lodhur me zgjerimin. Por, aspirata e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e BE-së nuk bën të pësojë për shkak të kësaj lodhjeje. Vonesa e BE-së për të afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor është kërcënim për sigurinë. Vakumin që lë BE-ja po nxitojnë ta zënë ideologji tjera, nacionaliste dhe religjioze”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në takim me kryediplomaten Presidenti Thaçi foli edhe për marrëdhëniet e Kosovës me shtetet fqinje, derisa tha se Kosova është angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë dhe se tani është koha për një kualitet tjetër të dialogut në mënyrë që ky dialog të kthehet në proces pajtimi, miqësie dhe bashkëpunimi të mirë ndërfqinjësor në mes të dyja vendeve, transmeton Express.

Thaçi gjithashtu ka treguar se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me Suedinë.

“Suedia ka përkrahur Kosovën vazhdimisht dhe për këtë jemi mirënjohës përgjithmonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, nga Bashkimi Evropian, presidenti Thaçi ka thënë se po kërkojmë dialog të sinqertë dhe strategjik, që sjell integrimin e rajonit në BE.

Nga ministrja Wallström, presidenti Thaçi ka kërkuar përkrahje edhe për bindjen e pesë shteteve të mbetura të BE-së për njohjen e Kosovës.