Kosova
Shkronjat

Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë njofton se i ka dhënë leje qëndrimi sot drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Beograd, Marko Gjuriq, i cili tha se nuk iu lejuar hyrja në Mitrovicën e Veriut, ku kishte në plan të marrë pjesë në kremtimin e Ditës së Fitores mbi fashizmin.

Bashmir Xhemaj, këshilltari i Ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se ministria i ka dhënë leje disa orëshe qëndrimi në Kosovë, Gjuriqit mirëpo këtij të fundit, “nuk i intereson në të vërtetë hyrja sa tendenca për të bërë teatër në kufijtë e Kosovës e më pas në media se gjoja i është dashur të pres dhjetëra minuta në Jarinje”, transmeton Gazeta Express.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dhënë leje sot për drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq që të qëndroj për disa orë në Mitrovicë. Por duket që Gjuriqit nuk i intereson në të vërtetë hyrja sa tendenca për të bërë teatër në kufijtë e Kosovës e më pas në media se gjoja i është dashur të pres dhjetëra minuta në Jarinje”, ka thënë këshilltari i ministrit.

“Megjithatë, MPJ nuk lejon të shantazhohet dhe as të vihet para ultimatumeve për afatet kohore pasi mbështetet mbi ligjet, Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit për lejimin e vizitave të ndërsjella”, ka thënë Xhemaj.