Kosova
Shkronjat

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk po merren vesh mes vete për shpalljen e konkursit për pranimin e studentëve të rinj për vitin e ri akademik në një ditë të caktuar.

Përderisa MAShT gjatë ditës së enjte ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve të rinj, këtë gjë pritet ta bëjë sot Senati i UP-së në mbledhjen e rregullt të saj.

Ministria e Arsimit përmes një njoftimi gjatë ditës së enjte kishte shpallur konkurs për pranimin e 15 mijë e 225 studentëve të rinj në universitetet publike në Kosovë.

“Numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike të vendit për vitin akademik 2017/2018 është 15.255. MAShT njofton të gjithë kandidatët e interesuar për studime në universitetet publike se prej nesër do të fillojnë të hapen konkurset për pranim në universitetet në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.

Pas shpalljes së këtij konkursi, kishin reaguar përfaqësues të Rektoratit duke thënë se UP-ja nuk ka shpallur konkurs dhe se nuk kanë asnjë vendim me shkrim të pranuar nga MAShT-i.

“UP nuk ka pasur si të shpallë konkurs përderisa nuk ka pranuar kurrfarë vendimi zyrtar nga MAShT-i në lidhje me aprovimin e propozimeve për numrin e studentëve që do të regjistrohen në nivelin Bachelor për vitin akademik 2017/18”, pati thënë Kelmendi për Kallxo.com.

Kështu që vetëm një ditë më pas, Rektorati ka marrë vendim që në mbledhjen e rregullt të vendosë për shpalljen e konkursit për pranimin e studentëve të rinj për këtë vit.

“Marrja e vendimit për miratimin e kushteve dhe për shpalljen e konkursit për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2017/2018”, thuhet në rendin e ditës së Senatit për ditën e sotme.

Po ashtu, në këtë mbledhje, Senati pritet të vendosë edhe për angazhimin e tre profesorëve vizitorë nga Universiteti i Lubjanës për nivelin e doktoratës në Fakultetin e Edukimit.

Senati pritet edhe ta shqyrtojë edhe miratimin e Rregullores për angazhim për bashkëpunëtorët e jashtëm në UP-ja.