Kosova
Shkronjat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, të shtunën e kaluar, i ka hapur rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Seancën konstituive do ta thërrasë Presidenti i vendit Hashim Thaçi, Kryesia e vjetër e Kuvendit e përgatit seancën.

Pas thirrjes së seancës së Kuvendit, do të jetë kryesia e vjetër e legjislaturës së kaluar e cila bashkë me grupet parlamentare do të punojë për caktimin e pikave të rendit të ditës. Kryesia do të vendosë po ashtu edhe se kush do ta bëjë udhëheqjen e seancës. Në bazë të rregullores së Kuvendit seanca do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.

E data për seancën konstituive të Kuvendit ende nuk është caktuar nga ana e Presidentit Thaçi. Në zyrën e tij thonë se data do të caktohet brenda afateve ligjore.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të respektojë të gjitha afatet ligjore dhe kushtetuese gjate procesit të krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit Thaçi. 

Sipas rregullores së Kuvendit mbledhja konstituive parashihet të mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
E Kryesia e vjetër e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka filluar përgatitjet për këtë seancë. Kështu ka thënë për Gazetën Express, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit që tashmë është shpërbërë.

“Presidenti e bën dekretimin, pastaj Kryesia do të jetë ajo që do ta përgatisë mbledhjen. E dini seancën do ta udhëheqë deputeti më i vjetër. Kryesia do ta caktojë rendin e ditës. Ne ende nuk kemi marrë datë se kur do të thirret mbledhja konstituive e Kuvendit”, ka thënë të martën për Express, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.

E ndërkohë kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, në një prononcim për Express, ka deklaruar se javën që vjen pritet që të mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit e cila do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve të vendit.