Editorial
Shkronjat

 

 Ky shkrim është një reagim ndaj neglizhencës dhe pezullimit të implementimit të projektit “SEAMbiosis” për rregullimin e shtratit të lumit Krena në Gjakovë, fitues i konkursit ndërkombëtar Europan13 (2015) i punuar nga ekipi vendor Pula-Bucaliu-Luma. Ky reagim vjen pas publikimit të propozimit për rregullimin e shtratit te lumit Krena dhe përurimit të punimeve nga Komuna e Gjakovës në krye me z. Ardian Gjini, përmbajtja e të cilit neglizhon plotësisht projektin fitues të konkursit të iniciuar nga qeverisja e znj. Kusari-Lila. Si shembull ilustrues i proceseve të cilat përshkojnë konkurset e dizajnit urban dhe arkitektonik në Kosovë, kalimi nga konkursi i znj. Kusari-Lila në pseudo-shëtitoren e z. Gjini demonstron pamaturinë dhe paqëndrueshmërinë politike e institucionale kundrejt intervenimeve të mirëfillta urbane.

 Nga Rrita Pula, Erblin Bucaliu, Dea Luma

 

Konkurset e arkitekturës dhe dizajnit urban kanë qenë pjesë integrale e zhvillimit të qyteteve për shekuj me radhë. Si mjet pune, hulumtimi dhe metodë përzgjedhjeje, konkurset e hapura të dizajnit arkitektonik dhe urban vazhdojnë të shërbejnë si platforma ku gjenerohen dhe ndeshen idetë e projektuesve hapësinorë me prapavijë dhe përvoja të ndryshme. Rrjedhimisht, konkurset  konsiderohen si laboratorë për prodhimin e diskutimeve mbi kualitetin hapësinor dhe mjedisor, si dhe formësimin e ripërtëritjen shoqërore, ekonomike e kulturore të një vendi.

Si shoqëri Kosovare, jemi dëshmitarë se konkurset e dizajnit arkitektonik dhe urban zakonisht iniciohen me motive të përfitimit politik apo privat, të cilat si të tilla, neglizhojnë krejtësisht mirëqenien shoqërore dhe zhvillimin e mirëfilltë urban të qyteteve tona. Ndonëse në numër të kufizuar, pothuajse të gjitha konkurset e hapura në Kosovë janë përshkuar me një proces të ngjashëm: atë të dështimit - si nga organizimi i dobët dhe selektimi jotransparent i projekteve fituese, e deri te implementimi gjysmak i tyre. Garat urbarkitektonike në Kosovë dështojnë si pasojë e mungesës së seriozitetit dhe vullnetit të pastër politik e shoqëror për të përmirësuar çështjet socio-hapësinore në vend. Të tillë e kemi rastin e Sallës së Operas “Ibrahim Rugova”,  konkursin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, pseudo-projektin për Muzeun e Historisë së Natyrës, etj.

Në vazhdën e garave të tilla sa-për-sy-e-faqe, e gjejmë edhe konkursin Europan në Kosovë. Si konkurs bienal ndërkombëtar, Europan ka për qëllim të sjellë në pah idetë inovative të arkitektëve dhe urbanistëve Evropianë nën moshën 40 vjeçare, krahas një teme, programi dhe lokacioni përkatës. Në princip, synim i këtij konkursi është edhe jetësimi dhe implementimi i projekteve të përzgjedhura përmes bashkëpunimit të ekipeve fituese me organizatorët vendorë, gjegjësisht qeveritë lokale dhe përfaqësuesit kombëtarë të federatës Europan-Europe.

Në Kosovë, ky konkurs u organizua për tri edicione radhazi nga komunat përkatëse në bashkëpunim me Europan-Kosovo (organizatë kjo që vepron nën ombrellën e Europan-Austria, e cila është pjesëtare e federatës Europan-Europe), por fatkeqësisht, asnjëri prej projekteve fituese nuk arriti të implementohet. Hera e parë që Kosova u bë pjesë e këtij konkursi bienal ishte edicioni i 11-të, përkatësisht Europan11, që u organizua në vitin 2011 në Pejë, i cili kishte për qëllim zhvillimin e një zone rekreative, sportive dhe turistike afër parkut të Karagaçit. Edicioni i radhës Europan12, i organizuar në vitin 2013, trajtoi rigjenerimin e qendrës së qytetit të Gjilanit përmes objekteve dhe hapësirave publike. Rezultatet e këtyre dy edicioneve nuk patën fatin të jetësohen, shkaku i mosangazhimit, apo thënë më mirë, i letargjisë institucionale për të vazhduar tutje proceset e nisura.

Së fundmi, me rastin e edicionit Europan13: Qytetet Adaptibile 2, i cili u mbajt në vitin 2015, detyrë projektuese e konkursit ishte rregullimi urban i segmentit të shtratit të Lumit Krena në Gjakovë, prej urës së rrugës ‘Ismail Qemali’ deri tek rruga ‘Xheladin Hana’. Organizimi i këtij konkursi ishte iniciativë dhe investim prej € 60.000 i qeverisjes së znj. Mimoza Kusari-Lila. Fitues i këtij edicioni u shpall ekipi Pula-Bucaliu-Luma me projektin SEAMbiosis,  i cili parasheh transformimin e zonës qendrore të qytetit të Gjakovës. Ky projekt trajton jo vetëm rregullimin teknik të shtratit të Krenës, mirëpo edhe integrimin e lumit dhe hapësirave publike përgjatë tij si elemente ndërlidhëse mes dy pjesëve të qytetit - asaj historike në perëndim dhe strukturës moderne në lindje.

Projekti SEAMbiosis u përzgjodh unanimisht nga dy raunde vlerësimesh; së pari nga juria kombëtare dhe më pas nga juria ndërkombëtare, të përbërë nga profesionistë e profesorë të fushës së arkitekturës dhe urbanizmit. Ky projekt u vlerësua lart edhe nga kritikë të fushës në publikimin e rezultateve të Europan13, si dhe u shfaq në platforma të shumta ndërkombëtare të arkitekturës dhe dizajnit urban si Bustler, Future Architecture Platform etj. Njëkohësisht, ekipi Pula-Bucaliu-Luma ishte edhe ekipi i parë dhe i vetëm nga Kosova, i cili arriti të triumfojë në historinë e konkursit Europan.

Fatkeqësisht, ndonëse shpresëdhënës në thelb, konkursi Europan13 dështoi të japë fryte konkrete si pasojë e papërgjegjësisë institucionale dhe mungesës së bashkëpunimit të ndërsjellë mes akterëve kryesorë, përkatësisht komunës së Gjakovës, përfaqësuesve vendorë të konkursit dhe ekipit fitues. Ngjashëm me dy edicionet paraprijëse, ky konkurs përfundoi të jetë një ndër iniciativat e shumta boshe, të cilat si qëllim të vetëm kanë arsyetimin formal të aktiviteteve politike të qeverisjes lokale. Kjo shkurtpamësi politike e institucionale krijon klimë të shterpët e cila pamundëson zhvillimin e projekteve të mirëfillta urbane e arkitektonike, të cilat kërkojnë kohë, përkushtim e transparencë.

**** Ndër rastet e rralla kur u ftuam nga znj. Kusari-Lila dhe Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, ishte në Maj të vitit 2016. Takimi u organizua nga Europan-Kosova, dhe përfshinte prezantimin e projekteve finaliste dhe ekspozimin e 29 projekteve të tjera pjesëmarrëse. Në Tetor të të njëjtit vit, ekipi ynë u ftua në forumin ndërsesionar të Europan-Europe në Badajoz të Spanjës për të prezantuar dhe diskutuar planin për Krenën në cilësinë e projekteve fituese të cilat veçse kishin filluar procesin e implementimit. Me gjasë, komuna e Gjakovës dhe Europan-Kosovo kanë lënë të kuptohet nga organizatorët ndërkombëtarë se projekti SEAMbiosis kishte nisur zbatimin, pavarësisht faktit që në realitet nuk ka patur kurrfarë lëvizjeje në atë drejtim. Edhe pse të ftuar nga federata Europan-Europe, përfaqësuesit e Komunës së Gjakovës, me në krye znj. Kusari-Lila, nuk morën pjesë në forum e as nuk njoftuan paraprakisht arsyet e mospjesëmarrjes. Pavarësisht mungesës së përfaqësuesve të Komunës, ekipi ynë prezantoi masterplanin për rregullimin urban të zonës së lumit Krena, si dhe hapat e mëtutjeshëm potencialë për përcjelljen e projektit drejt një implementimi të mundshëm.

Duke vënë re heshtjen e komunës së Gjakovës kundrejt projektit SEAMbiosis përgjatë një viti e gjysmë, në Maj të vitit 2017 ne e kontaktuam znj. Kusari-Lila për të diskutuar mbi statusin dhe mundësinë e zhvillimit të mëtutjeshëm të projektit. Përgjigje entuziaste prej znj. Kusari-Lila morëm vetëm pasi insistuam ta kontaktonim për herë të dytë në Qershor të të njëjtit vit, e cila pasoi me dy takime gjatë muajit Korrik. Epilogu i këtyre takimeve ishte zotimi nga ana e Komunës që projekti për rregullimin urban të zonës rreth lumit Krena, gjegjësisht  implementimi i rezultateve të konkursit Europan13, do të futej në kornizën financiare afat mesme 2018/19.

Jo çuditërisht ky interesim i intensifikuar u shfaq vetëm pak para zgjedhjeve lokale 2017. Në të njëjtën kohë, kundërshtari politik i atëhershëm i znj. Kusari-Lila dhe kryetari i tanishëm i Gjakovës z. Ardian Gjini, gjatë fushatës elektorale deklaroi se rregullimi i shtratit të lumit Krena ishte një ndër prioritetet kryesore të programit të tij politik. Respektivisht, nuk është hera e parë që premtimet mbi përmirësimin e domenit publik dhe mirëqenies së qytetarëve shfrytëzohen si vegël politike për të ngashnjyer elektoratin.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar u ndërpre çdo kontakt që kishim me komunën e Gjakovës, pa ndonjë deklaratë publike e cila do të mund të sqaronte anulimin e mundshëm apo nevojën për rishikimin e projektit. Fatkeqësisht, jemi mësuar tashmë me faktin demoralizues që me ndërrimin e strukturës politike qeverisëse, pezullohen apo rinisin nga zero proceset e papërfunduara nga qeveria paraprake. Sidoqoftë, ndonëse e pamundur të verifikohet saktësia në bazë të dokumenteve publike të Komunës së Gjakovës, mund të supozojmë se rregullimi urban i Krenës me të vërtetë ka përfunduar në kornizën financiare 2018/19, veçse bartës i këtij plani përfundoi  të jetë z.Ardian Gjini.

Edhe pse z. Gjini, si rezultat, mbajti premtimin e tij elektoral, është për të ardhur keq se si projekti i tij për rregullimin e shtratit të lumit Krena po implementohet në mungesë të plotë të transparencës dhe llogaridhënies publike. Deri tani janë bërë publike intervenimet në dy segmente përgjatë lumit Krena. Segmenti i parë përfshin zonën prej  Rr. ‘Yllka Domi’ deri tek Rr. ‘Ismail Qemali’, përderisa segmenti i dytë përshkon zonën prej Rr. Ismail Qemali deri tek Rr. ‘Xheladin Hana’, përkatësisht zonën e trajtuar në detyrën projektuese të konkursit Europan13. Mbi të gjitha, intervenimi urban i z. Gjini i neglizhon plotësisht projektet fituese të konkursit në fjalë.

Në mungesë të një zgjidhjeje urbane dhe plani detal konstruktiv, z. Gjini prezantoi vetëm disa vizuelizime amatereske të cilat ilustrojnë një pseudo-shëtitore jashtë kontekstit ekzistues urban përreth Krenës. Veç  kësaj, përpos kontratës së punëkryesit për segmentin e parë, gjegjësisht N.N.Sh. Korben, nuk është bërë publike kontrata e punëkryesit për segmentin e dytë, ndonëse projekti përkatës u përurua në fund të muajit Korrik të këtij viti. Gjithashtu, kumtimet e ndryshueshme mbi koston e projektit tregojnë mundësi për manipulim dhe keqpërdorim financiar. Në web faqen zyrtare, Komuna e Gjakovës deklaron se projekti kap shumën e 2 milionë eurove, përderisa në ditën e përurimit të segmentit të dytë, në media të ndryshme është deklaruar se projekti në tërësi do të kushtojë 3.3 milionë. Mbi të gjitha, është shqetësues fakti se si implementimi i këtij projekti jo transparent dhe përjashtues po ushqehet me militantizëm të verbër dhe mungesë të aktivizmit të mirëfilltë qytetar.

***** Kalimi nga konkursi i dështuar i znj. Kusari në projektin e z. Gjini për (ç)rregullimin e shtratit të lumit Krena paraqet një tjetër precedent të trishtë, i cili ilustron konkurset e dizajnit urban dhe arkitektonik në Kosovë: si procese paralele të një narrative qeverisëse të fragmentuar, të cilat shumë shpesh bien pre e interesave dhe inateve politike. Rasti i konkursit Europan13 në Gjakovë demonstron se si një paradoks i tillë institucional, i karakterizuar me pamaturi dhe paqëndrueshmëri politike, rezulton në humbje të plotë të investimeve profesionale, kohore e financiare.

Si profesionistë të fushës dhe ideatorë të projektit fitues për rregullimin urban të zonës rreth Krenës, konsiderojmë se është e domosdoshme që një intervenim i tillë publik të përcillet me plan të mirëfilltë urban, i cili duhet të jetë i hapur për diskutim gjithëpërfshirës publik. Rigjenerimi shoqëror, ekonomik e kulturor i qytetit përmes intervenimit në hapësira publike mund të ndodhë vetëm atëherë kur qytetarëve, gjegjësisht taksapaguesve, u jepet e drejta e informimit, përfshirjes dhe vendimmarrjes përgjatë gjithë procesit.

Të mos harrojmë se qeveritë ikin, ndërsa qyteti i mbetet qytetarëve. Andaj, le të shërbejë ky shkrim kritik si një thirrje publike drejtuar komunës së Gjakovës me në krye z. Ardian Gjini, organizatës Europan-Kosovo dhe qytetarëve të Gjakovës, që të angazhohen aktivisht për një proces më transparent, gjithëpërfshirës dhe rezistent ndaj interesave e inateve politike. Së fundmi, si fitues të konkursit për rregullimin urban të shtratit të lumit Krena, shprehim gatishmërinë të japim kontributin tonë, qoftë si ideatorë të projektit, apo qytetarë të thjeshtë të cilët kanë për synim mirëqenien e banorëve të Gjakovës.