Sport
Shkronjat

Atalanta befasoi Napolin të shtunën, në “San Paolo”, duke fituar 2-0 ndaj të kaltërve, dhe protagonist në suksesin e bergamaskëve, ishte edhe portieri i Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha.

Pritjet e gardianit kuqezi  rezultuan të rëndësishme, duke mbajtur të paprekur portën, sidomos në minutën e fundit të pjesës së parë, ku një gol i mundshëm i Napolit mund t’i kishte dhënë një tjetër rrjedhë takimit.

“Jam i lumtur, pasi zhvilluam një ndeshje të madhe, edhe unë dhashë kontributin tim. Kur ekipi ka nevojë, unë jam aty”, ka thënë fillimisht Berisha.

 

“Edhe në ndeshjen e fundit në Bergamo ndaj Napolit, të fituar 1-0, vuajtëm dhe luftuam deri në fund. Kjo fitore na jep edhe më shumë forcë për të vazhduar ëndrrën Evropë”, transmeton Supersport.

Për Berishën pika e fortë e skuadrës së tij është forca e grupit.

“Tani njihemi mirë të gjithë, e dimë çfarë dëshiron trajneri, pasi falë Gasperinit luajmë thjeshtë dhe gabojmë pak”.

“Nuk duhet të ndalemi më. Do të kemi një betejë me Fiorentinën të dielën dhe duhet të jemi gati”, përfundoi portieri prishtinas.