Sport
Shkronjat

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar një ndeshje të madhe ndaj Islandës, por nuk i ka prirë fati, pasi ka humbur në fund me rezultat 2-1. Kosova luajti një ndeshje të madhe dhe ishte kërkuese gjatë gjithë pjesës së parë, por nuk kishte fat për të gjetur golin, teksa pranoi edhe dy gola naiv.

 Fillimisht ishte Bjorn Sigurdarson, i cili kaloi në epërsi Islandën në minutën e 25, ku shënoi nga afërsia pas një topi të kthyer nga portieri Samir Ujkani. Goli i 2-0 erdhi nga penalltia, ku i saktë ishte Gylfi Sigurdsson, i cili dërgoi kombëtaren e tij në pushim me epërsi të dyfishtë. Në pjesën e dytë, Kosova hyri edhe më agresive dhe kërkuese duke mos e pranuar me asnjë mënyrë humbjen. Kështu, Kosova gjeti shpejt golin e parë në këtë takim, ku ishte sulmuesi shtatlartë, Atdhe Nuhiu, i cili debutoi me gol. Nuhiu shënoi një gol të bukur me kokë në minutën e 53 pas asistimit milimetrik të Herolind Shalës.

Në vazhdim të ndeshjes, Kosova provoi edhe disa herë të gjej golin e barazimit, por pa pasur sukses, dhe kështu humbën me rezultat 2-1 një ndeshje të luajtur shumë mirë dhe të luftuar deri në fund. Pas kësaj humbje, Kosova vazhdon të jetë në vendin e fundit të Grupit I me vetëm një pikë, ndërsa Islanda renditet e dyta me 10 pikë.