Sport
Shkronjat

Është ndëshkuar 11 herë dhe larguar me të kuq dy herë, por Xhaka nuk është i brengosur për këtë rekord negativ – teksa thotë se është përmirësuar dukshëm që nga kartoni i fundit.

Mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka, ka përsëritur se nuk do të ndryshojë stilin e lojës vetëm pse kritikohet që ndëshkohet me të kuq, teksa shtoi se është përmirësuar ndjeshëm që nga kartoni i fundit.

Ish-mesfushori i Borussia Mönchengladbach, njihet si lojtar tejet agresiv – i cili edhe në gjermani është ndëshkuar shpesh me të kuq.

Në Premierligë, ai është ndëshkuar 11 herë me të verdhë këtë edicion dhe dy herë me të kuq, kundër Swansea City dhe Burnley, por thotë se për asgjë nuk do ta ndryshojë stilin e lojës së tij.

“Në futboll gjithmonë kritikoheni nëse përjashtoheni me të kuq”, tha fillimisht Xhaka.

“Është stili im i lojës dhe askush nuk mund të më bëjë që ta ndryshoj këtë – edhe nëse marr një tjetër karton të kuq”, shtoi ai.

“Thjesht kur ndëshkoheni, ju bëheni më të mençur dhe mendoj se që nga kartoni i kuq i fundit gjërat janë përmirësuar dukshëm”, shtoi Xhaka, duke konfirmuar se tani është më i kujdesshëm.

Xhaka shkëlqeu në ndeshjen e fundit ndaj Manchester Unitedit, duke shënuar një gol të bukur nga distanca, sfidë të cilën e fituan “Topçinjtë” 2:0. /Express/