​Burg i përjetshëm autorit të vrasjes së politikanit Lübcke

Një gjykatë në Frankfurt ka dënuar me burg të përjetshëm një mbështetës të ekstremit të djathtë për vrasjen e një politikani të shquar pro-migrant në kopshtin e shtëpisë së tij në vitin 2019, raporton BBC.

Walter Lübcke, u qëllua në kokë nga një distancë e afërt dhe Stephan Ernst, 47-vjeç, pranoi se kishte qëlluar në shtëpinë e Lübcke.

Burri i dytë i identifikuar si Markus H. mori dënimin prej 18 muaj burg me kusht.

Të dy të pandehurit janë pjesë e ekstremit të djathtë dhe prokurorët thanë se motivi i vrasjes ishte ekstremizmi i tyre politik. Vrasësi u gjet i motivuar nga “racizmi dhe ksenofobia”.

Walter Lübcke (65), i vrarë afër qytetit Kassel, ishte politikani i parë i vrarë në Gjermani për dekada.

Ai kishte mbështetur mirëpritjen e kancelares Angela Merkel për gati një milion migrantë dhe refugjatë në vitin 2015.

Avokati i Stephan Ernst argumentoi se ishte një sulm politik, andaj duhej të trajtohej si vrasje pa dashje, por gjyqtarët i dhanë dënim me burg të përjetshëm për shkak të peshës së krimit./KosovaPress

Read Previous

​BE dakordohet për standardizimin e certifikatave të vaksinimit

Read Next

Avdullah Hoti viziton shtëpinë muze të familjes Qerkezi