Numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe të anëtarëve të kuvende komunale ka përfunduar të dielën e 17 tetorit, ndërsa tani në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u bërë pranimi i materialit zgjedhor. Kështu ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili shtoi se nuk mund të jap ndonjë datë të saktë se kur do të bëhet shpallja dhe certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Sipas Elezit, rezultatet preliminare të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe rezultatet e subjekteve politike për Kuvende Komunale janë shfaqur në aplikacionin e KQZ-së.
Zëdhënësi i KQZ-së njoftoi se materiali zgjedhor ka arritur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nga të gjitha komunat e Kosovës dhe i gjithë procesi ka qenë në mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.
Elezi: Në QNR po bëhet pranimi i materialit zgjedhor
“Aktualisht pasi të dielën në mbrëmje janë përmbyllura të gjitha procedurat në vendvotime, përfshirë edhe numërimin e fletëvotimeve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe atyre për Kuvende Komunale, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po bëhet pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet. Ky proces është i rëndësisë së veçantë, pasi përmes tij do të dimë për gjendjen e çdo vendvotimi dhe natyrisht se mund të evidentohen edhe parregullësitë eventuale. Në fund të pranimit të materialit zgjedhor, do të kemi një raport të detajuar lidhur me gjetjet”, tha Elezi.
Elezi ka thënë se nuk mund të japin datë të saktë se sa ditë i duhet KQZ-së, fillimisht për të shpallur rezultatet për kryetarë të komunave e pastaj për të certifikuar ato.
Sipas tij, para shpalljes së rezultateve përfundimtare bëhet numërimi i votave me kushtë, votave me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Elezi: Nuk mund të japim datë të saktë se kur mund të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare
“Ne nuk mund të japim një datë të saktë se sa ditë i duhen KQZ-së, fillimisht, për të shpallur rezultatet përfundimtare për Kryetarë të Komunave dhe pastaj, për certifikimin e tyre. KQZ-ja do të punojë maksimalisht që ne të arrijmë afatet ligjore, në mënyrë që të përgatitemi për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, që sipas ligjit duhet të mbahet katër javë pas raundit të dytë. Në të kaluarën, në zgjedhjet e vitit 2017, KQZ-së i janë dashur 9 ditë për të shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 3 ditë të tjera për të certifikuar rezultatin e tyre. Megjithatë ne duhet të presim vijimin e procedurave se sa do të na marrin kohë në QNR për të ditur pastaj se kur do bëhet shpallja dhe certifikimi I rezultateve”, theksoi ai.
Ai po ashtu tha se është e rëndësishme që KQZ-së sa më parë të kryhen të gjitha procedurat në QNR për të vazhduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Elezi: KQZ të përqendrohet për përfundim të procedurave për të shpallur rezultatet përfundimtare
“Ligji për Zgjedhjet Lokale parasheh që nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, atëherë KQZ-ja është e detyruar të organizojë raundin e dytë mes dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota. Po sipas ligjit, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune mbahet ditën e diele, katër javë pas raundit të parë. Prandaj, është e rëndësishme që KQZ-ja të përqendrohet në përfundimin e procedurave lidhur me Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave në mënyrë që të shpallim dhe certifikojmë rezultatet përfundimtare, për ta ditur saktë se cilat janë komunat në të cilat duhet të mbahet raundi i dytë dhe që sipas ligjit kjo duhet të bëhet katër javë pas raundit të parë“, u shpreh ai.
Zëdhënësi i KQZ-Së, Valmir Elezi tha se përveç pranimit të materialit zgjedhor, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve aktualisht po bëhet edhe futja e të dhënave në sistem nga këto vendvotime.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë votuar 42.% e qytetarëve. Ndërsa, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, 21 komuna do të shkojnë në balotazh.
/KosovaPress/