Apple po përgatitet të sjellë ndryshimet më të mëdha në linjën e iPhone me serinë e re iPhone 17, e cila pritet të prezantohet zyrtarisht në shtator 2025, shkruan India Today. Sipas rrjedhjeve dhe raportimeve të fundit, kompania do të prezantojë për herë të parë modelin iPhone 17 Air, një pajisje ultra e hollë dhe elegante, që do të zëvendësojë versionin Plus.
Modeli i ri iPhone 17 Air do të ketë një ekran 6.6 inç dhe trashësi vetëm 5–6.25 mm, duke u bërë iPhone më i hollë ndonjëherë. Ai do të ofrojë një balancë të re mes madhësisë së ekranit dhe portabilitetit, pa sakrifikuar performancën, sipas IndiaToday.
Të gjitha modelet e reja pritet të përfshijnë ekran ProMotion me 120Hz dhe teknologji Always-On Display, si dhe përmirësime në rezistencë ndaj gërvishtjeve dhe reflektimit. iPhone 17 bazë do të vijë me ekran 6.3 inç, ndërsa iPhone 17 Pro Max do të arrijë në 6.9 inç.
Seria e re do të fuqizohet nga dy çipa të rinj: A19 për modelet bazë dhe A19 Pro për Pro-t, të cilët do të ofrojnë performancë të përmirësuar dhe aftësi të avancuara për inteligjencën artificiale. Për herë të parë, modelet Pro pritet të kenë 12GB RAM, ndërsa modelet standarde do të kenë 8GB.
Gjithashtu, Apple do të dyfishojë rezolucionin e kamerës së përparme në të gjitha modelet nga 12MP në 24MP. iPhone 17 dhe 17 Air do të mbajnë një kamerë 48MP, ndërsa modelet Pro do të kenë konfigurim trefish 48MP, me lente ultra-wide, telephoto dhe zoom dixhital deri në 7x. iPhone 17 Pro Max mund të mbështesë xhirim në 8K, duke e afruar më shumë me kamerat profesionale.
Seria e re pritet të vijë me bateri më të mëdha për të mbështetur ekranet më të mëdha, si dhe karikim të shpejtë deri në 35W.
Apple pritet të prezantojë serinë ndërmjet 11–13 shtatorit 2025, me çmimet që mund të rriten lehtë për shkak të kostove të prodhimit. /KosovaPress/