​Ndalet rryma në disa qendra të votimit në Gjakovë

Të gjitha qendrat e votimit në Komunën e Gjakovës janë hapur në orën 7:00, ani pse një pjesë e vendvotimeve në këtë komunë po përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Zyrtari i Komunal Zgjedhor në Gjakovë, Armir Rexhaj, bëri të ditur se një pjesë e vendvotimeve në Komunën e Gjakovës janë pa energji elektrike, për çka tha se janë duke komunikuar me institucionet përgjegjëse që të rregullohet ky problem.

Ai përmes telefonit bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë janë hapur me kohë.

Ndërsa edhe menaxheri i qendrës së votimit në shkollën “Yll Morina”, Berat Bejtullahu, përmes telefonit ka bërë të ditur se kanë pasur probleme me ndaljen e energjisë elektrike në këtë qendër deri në orën 07:10, ku më pas gjithçka është rregulluar sa i përket këtij problemi.

Në Komunën e Gjakovës të drejtë vote për të zgjedhur të parin e komunës kanë 113 mijë e 165 qytetarë. Në këtë komunë janë 34 qendra të votimit me gjithsej 139 vendvotime.

Në balotazhin e sotëm në garë për të parin e Gjakovës është kryetari aktual dhe kandidati i AAK-së Ardian Gjini dhe kandidatja e LVV-së Mimoza Kusari-Lila. Në raundin e parë Gjini ka marrë 45.76 përqind të votave, kurse Kusari Lila ka marrë 37.20 përqind.

Read Previous

Balotazhi, KQZ ka pranuar 1 mijë e 571 pako me fletëvotime përmes postës

Read Next

KQZ: Janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit