​Osmani: U qëndroj prapa vërejtjeve për draft-statutin e Asociacionit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se vazhdon të mbështesë qëndrimin e saj lidhur me vërejtjet për draft-statutin e Asociacionit. Sipas saj, vërejtjet kanë të bëjnë me mospërputhshmërinë e këtij dokumenti me Kushtetutën e Kosovës.

Osmani komentoi edhe dialogun Kosovë-Serbi, për çka tha se procesit i ka munguar balanci dhe se palët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë.

“E para që procesit i ka munguar balanci, e dyta që palët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë dhe kjo pastaj jo vetëm që e ka dëmtuar pozicionin e Kosovës, e cila është pala konstruktive në këtë proces. Po ashtu, e ka dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e BE-së si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi. E dyta çështje që e kam ripërsëritur është qëndrimi identik me atë që e kam mbajtur më herët, kanë qenë vërejtjet sa i përket draft-statutit të Asociacionit. Edhe në fillim kur është propozuar nga ana e Bashkimit Evropian edhe tani vërejtjet kanë të bëjnë me mospërputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës, se ato nuk janë vërejtje teknike”, tha Osmani.

Këto deklarime Osmani i bëri pas një ngjarje të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), së bashku me iniciativën WE për Gratë Sipërmarrëse në Kosovë.

Ndër të tjera, Osmani foli për sulmet terroriste të Serbisë në dy vitet e fundit, duke theksuar se deri tani ky shtet nuk është ndëshkuar nga komuniteti ndërkombëtar për to.

E para e vendit tha se Serbia nuk ka interesim për stabilitet në rajon, por përkundrazi sipas saj ky vend dëshiron ta kthejë rajonin mbrapa.

“Në dy vitet e fundit Kosova ka pasur sfida të veçanta të sigurisë të cilat armë kanë ardhur nga shteti agresor i Serbisë. Përveç sulmit të agresionit në shtator të vitit 2023, asaj i kanë paraprirë edhe një sërë problemesh të cilat i ka shkaktuar Serbia, si destabilizuese e rajonit. Pastaj e kemi pasur edhe sulmin në kanalin e Ibër Lepencit dhe sulme të një pas njëshme të cilat tregojnë se Serbia nuk ka interesim për stabilitet në rajon. Por, përkundrazi dëshiron që ta kthejë rajonin mbrapa… Deri tani nuk ka pasur përgjegjësi nga ana e Serbisë, por fatkeqësisht nuk është se po shohim ndonjë pasojë nga ana e komunitetit ndërkombëtar në raport me Serbinë. Sa më pak që ka përgjegjësi nga ana e Serbisë dhe deri tani kemi parë zero, madje as masa ndaj Radoiçiqit nuk kanë ndërmarrë e mos të flasim për diçka më shumë. Aq më shumë kjo do të jetë shenjë inkurajuese për Serbinë që akoma të vazhdojë me dhunë”, tha Osmani.

Të hënën, Osmani priti në takim përfaqësuesin e ri të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, për çka u diskutua rreth këtij procesi dhe qëndrimeve të Osmanit. /KosovaPress/

Read Previous

“The Times”: Shqipëria, vendi me plazhe spektakolare e shumë atraksione për të eksploruar

Read Next

​Lëndohen dy yjet e Kosovës para ndeshjes kthyese me Islandën