​PSD përplaset me policinë, kundërshtojnë sloganin e LVV-së

“Krejt dhe drejt = I gjithë pushteti sovjetëve”, ky ka qenë mesazhi i Partisë Socialdemokrate për Albin Kurtin. Këta të fundit këto parulla i kanë vendosur në muret e objektit të qeverisë, ku më pas ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës. Kryetari i PSD-së dhe anëtarë të tjerë janë përleshur me forcat policore, ndërkohë që të njëjtit nuk janë lejuar t’i vendosin ato mbishkrime edhe në muret e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se slogani “Krejt dhe Drejt”, vjen pas një qeverie të dështuar, por që sipas tij, ky slogan synon koncentrimin në një parti.

Molliqaj: LVV në mendësi është e vjetra

“Në pamje të parë “Krejt dhe drejt”, duket diçka e re, diçka përkundër të vjetrës dhe duket diçka që është edhe e drejtë, por kjo është vetëm leximi i parë dhe në sipërfaqe. Në fakt asgjë më mirë se sa slogani i Vetëvendosjes nuk e paraqet Vetëvendosjen në thelb se çfarë është sot. Vetëvendosje me këtë slogan, jo vetëm që nuk është e reja, por edhe në kuptimin e mendësisë është e vjetra. Edhe në kuptimin e historisë është një shekull e vjetër. Para një shekull, pjesa e dytë e sloganit ‘I gjithë pushteti sovjetëve’, është përdorur në një kontekst dhe në një rrethanë tjetër. Ndonëse po them një shekull i vjetër, nuk është shumë që po dallon me sot, përkundër që kanë ndërruar shumë rrethanat”, ka theksuar Molliqaj.

Sipas tij, “Krejt pushteti sovjetëve”, ishte parullë bolshevike kundër aleatëve liberal dhe kundër institucioneve qendrore, drejt sovjetëve që ishin këshillat e punëtorëve. Molliqaj ka theksuar se Albin Kurti e ka ndryshuar statutin e partisë në përputhje me interesat e kësaj mendësie.

Molliqaj: Ai e shndërroi presidencën në nëndegë të partisë së tij

Molliqaj para gazetarëve ka thënë se kreu i LVV-së, Albin Kurti nuk pranon të ketë zëvendësues. Për këtë ai tha se po bëjnë thirrje edhe për rezistencë.

Molliqaj: Nuk ka zëvendësues të liderit suprem 

“Mos harroni shenja kryesore e që nuk u bë e madhe është ajo e cila nuk ka zëvendësues liderit suprem. Nuk ka fjalë të vjetra për veprime të reja. Kjo është mendësia e vjetër e Kurtit dhe e këtij subjekti. Kështu që fakti që për herë të parë në historinë e Kosovës të çliruar, pluraliste nuk kemi numër 1 në një listë, fakti që ai nuk pranon të ketë zëvendësim, qoftë të përkohshëm apo simbolik. Fakti që nuk pranon të ketë kryetar tjetër ose kryeministër tjetër por duhet të jetë gjithmonë i njëjti, kjo flet për rrugën të cilës jemi duke hyrë dhe kemi vendosur sot që në objektin e qeverisë ku tendenca është që të kapet kjo, po ashtu në Kuvendin e Kosovës dhe Presidencën do të shkruajmë për të paralajmëruar dhe alarmuar, për të bërë thirrje dhe për të bërë në të njëjtën kohë një sinjal të qartë që edhe na duhet rezistencë”, ka shtuar ai.

Pas mbishkrimeve të vendosura në muret e objektit të qeverisë, anëtarët e kësaj partie kanë vazhduar aksionin edhe drejt kuvendit. Këtu ata janë përplasur me forcat policore, ku si pasojë edhe është lënduar një polic.

Read Previous

​Trajnerja që synon të shkruajë histori në botën e futbollit

Read Next

Shkencëtarët kanë mësuar spinaqin të dërgojë e-mail